E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›MJEKËSI – Pllaka inteligjente monitoron ilaçin për Parkinsonin përmes djersës

MJEKËSI – Pllaka inteligjente monitoron ilaçin për Parkinsonin përmes djersës

– Një pajisje e vogël që vendoset në majën e gishtit mund të ndihmojë në përcaktimin shumë më të saktë të dozës së ilaçit për sëmundjen e Parkinsonit, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientëve, sipas Reuters.

Këtë e tregojnë të dhënat e një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore “PNAS”.

Pajisja monitoron vazhdimisht nivelet e levodopës, ilaçi kryesor për trajtimin e Parkinsonit, duke analizuar substancat kimike që gjenden në djersë.

Gjetja e dozës së duhur të levodopës është një sfidë, një dozë e ulët nuk kontrollon mjaftueshëm simptomat, ndërsa një dozë e lartë mund të shkaktojë lëvizje të pavullnetshme dhe të pakontrollueshme.

Aktualisht, mjekët mbështeten kryesisht te ditarët ku pacientët regjistrojnë simptomat e tyre, një metodë që nuk është gjithmonë e saktë.

Pajisja e re synon ta zëvendësojë këtë me matje të vazhdueshme dhe objektive.

Pllaka përmban një xhel thithës që mbledh djersën nga poret e lëkurës.

Kur levodopa në djersë bie në kontakt me enzimat e integruara në pajisje, krijohet një reaksion kimik që prodhon një tension të vogël elektrik.

Ky sinjal tregon nivelin e ilaçit në organizëm, tensioni më i ulët nënkupton nivele të ulëta të levodopës, ndërsa tensioni më i lartë tregon nivele më të larta.

Në provat klinike me vullnetarë të shëndetshëm dhe pacientë me Parkinson, pajisja mati nivelet e levodopës me saktësi të krahasueshme me analizat laboratorike të gjakut, të cilat zakonisht kërkojnë disa ditë për të dhënë rezultatet.

Sipas studiuesve, kjo teknologji mund të jetë hapi i parë drejt një sistemi automatik, ku pajisja monitoruese do të lidhej me një pompë që do të administronte dozën e nevojshme të levodopës në kohën e duhur, pa ndërhyrje të vazhdueshme nga pacienti ose mjeku.

Lini një koment