MPB-ja mirëpret publikimin e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën 2026
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën 2026, që u publikua dje më 4 nëntor konfirmon progresin e arritur në fushat që janë në përgjegjësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive të saj.
Kështu thuhet në një njoftim për media nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ku tutje thuhet se ndër të arriturat kryesore, Raporti veçon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor përmes zgjerimit të bashkëpunimit me Europol-in, rrjetin SIENA dhe platformën EMPACT, avancimin e modelit të policimit të udhëhequr nga inteligjenca, përmirësimin e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar; si dhe progresin në luftimin e terrorizmit dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
“Po ashtu raporti Raporti konstaton uljen e numrit të aplikimeve të pabazuara për azil nga qytetarët e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian, Raporti vlerëson edhe profesionalizimin e mëtejshëm të Policisë së Kosovës, duke veçuar diplomimin e gjeneratës së re të kadetëve dhe avancimin e sistemeve të trajnimit”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se MPB-ja mbetet e përkushtuar në zbatimin e rekomandimeve të dala nga Raporti, përmes miratimit të dokumenteve strategjike dhe politikave në fushat përkatëse, përfshirë Strategjinë e Migracionit 2026–2030, Planin e Kontigjencës për Menaxhimin e Fluksit të Mundshëm të Migrantëve, Refugjatëve dhe Aplikuesve për Mbrojtje Ndërkombëtare 2026–2028, Strategjinë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe Strategjinë Kundër Krimit të Organizuar, si dhe themelimin e Qendrës Kombëtare për Luftimin e Terrorizmit dhe Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm.
“Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar në fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe në thellimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, me synim avancimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit dhe përafrimin e mëtejshëm të Kosovës me standardet dhe praktikat evropiane”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/