Sunday, 26 July 2026
54°F Detroit
BallinaBotaMpirja e këmbëve mund të sinjalizojë mungesë të vitaminës B12

Mpirja e këmbëve mund të sinjalizojë mungesë të vitaminës B12

– Këmbët mund të japin shenja paralajmëruese për disa probleme shëndetësore, veçanërisht për çrregullime të nervave, që mund të lidhen me mungesa ushqyese, sipas kërkimeve shkencore.

Një nga lidhjet më të studiuara është ajo mes mungesës së vitaminës B12 dhe dëmtimit të nervave periferike, të cilat kontrollojnë ndjeshmërinë dhe lëvizjen e këmbëve.

Një studim i publikuar në “Journal of the American Geriatrics Society” analizoi të dhënat e 2 287 të rriturve të moshës 72–83 vjeç, në kuadër të projektit amerikan “Studimi për Shëndetin, Plakjen dhe Përbërjen e Trupit”, i zhvilluar nga studiues të Universitetit të Pittsburgh-ut dhe nga institucione të tjera kërkimore në SHBA.

Studiuesit zbuluan se personat me nivele të ulëta të vitaminës B12, kishin funksion më të dobët të nervave periferike, duke përfshirë ndryshime në ndjeshmëri dhe përçimin nervor.

Këto probleme mund të shfaqen me simptoma si: mpirje të këmbëve; ndjesi shpimi gjilpërash; dhimbje ose djegie në shputa si dhe vështirësi në ekuilibër.

Një tjetër kérkim afatgjatë, i kryer në kuadër të studimit “Plakja në Chianti” (InCHIANTI – Invecchiare in Chianti) në Itali, ndoqi 678 persona mbi moshën 60 vjeç dhe analizoi lidhjen mes niveleve të vitaminës B12 dhe ndryshimeve në funksionin nervor gjatë gjashtë viteve.

Rezultatet treguan se nivelet e ulëta të vitaminës B12 ishin të lidhura me përkeqësim të disa treguesve të funksionimit të nervave periferikë.

Përveç vitaminës B12, mungesa e hekurit mund të ndikojë në disa ndryshime që shfaqen në thonj dhe lëkurë.

Hekuri është i domosdoshëm për transportin e oksigjenit në trup dhe mungesa e tij mund të shoqërohet me lodhje, dobësi, zbehje të lëkurës dhe ndryshime në thonj, megjithëse këto shenja nuk janë specifike vetëm për mungesën e hekurit.

Ekspertët theksojnë se shenja të tilla si thembrat e çara, thonjtë e dobët apo këmbët e ftohta nuk mund të përdoren si diagnozë më vete, pasi mund të shkaktohen edhe nga faktorë të tjerë, si qarkullimi i dobët, diabeti, infeksionet, sëmundjet e lëkurës ose plakja.

Megjithatë, studiuesit nënvizojnë se njohja e shenjave të hershme, mund të ndihmojë në zbulimin më të shpejtë të problemeve ushqyese ose neurologjike.

Analizat e gjakut dhe vlerësimi mjekësor mbeten mënyra më e saktë për të konfirmuar mungesat.

Mesazhi kryesor i studimeve: këmbët mund të pasqyrojnë disa probleme të brendshme të organizmit, por një simptomë e vetme nuk tregon domosdoshmërisht, një mungesë specifike. 

Një dietë e ekuilibruar dhe kontrollet periodike janë mënyra më e mirë për parandalim. /

Lini një koment