Monday, 29 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaMuça: Nuk ka një intelektual që të marrë mikrofonin në protestë

Muça: Nuk ka një intelektual që të marrë mikrofonin në protestë

Analisti Flogert Muça ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se në protestë nuk ka një intelektual që të marrë mikrofonin në protestë, duke theksuar mungesën e figurave serioze në podium.

“Në momentin që ti del me platforma të asaj natyre dhe nuk ke një njeri serioz, një intelektual që të dalë aty dhe të marrë mikrofonin… Ka një rob aty që mban mikrofonin, që e dikton mikrofonin. Aty të gjitha kamerat janë në atë kënd, çfarë ndodh aty. Ne, pjesa tjetër që jemi 95% e popullsisë, e ndjekim nga shtëpia”, tha Muça.

Sipas tij, mesazhi dhe përfaqësimi i protestës varen nga podiumi dhe mikrofoni, por aty nuk po u jepet hapësirë njerëzve me vlerë.

“Për ne çfarë kërkohet aty dhe çfarë përfaqësohet aty, varet nga ai podium dhe nga ai mikrofon. Dhe këtë e dinë të gjithë tani. Unë po të them që njerëz që ja vlen të dalin aty dhe t’i vënë realisht përpara përgjegjësisë këta zotërinj këtu – qoftë me artikulim, me mendim politik, qoftë me doktrinë, qoftë me alternativë, qoftë me moral, me çfarëdo – nuk ju jepet mikrofoni. Nuk ju jepet mikrofoni”, deklaroi analisti.

Muça ironizoi disa nga kërkesat e artikuluara në protestë dhe vuri në dukje mungesën e transparencës nga ana e organizatorëve.

“Kam një pyetje që është si retorike… Tani kërkojnë që të firmosin një libër, se kërkojnë që SPAK të vijë të hipi në podium… Arben Mazniku – burg, Edi Rama – burg. Thuhet që janë 29 organizatorë. Mirëpo këta që ne kërkojmë transparencë – çfarë turpi kemi të jemi transparentë ne vetë? Që themi ‘jemi ne organizatorët’. A do i shantazhojë Edi Rama? Se ti mendon që Edi Rama nuk i di kush janë? Edi Rama nuk i nxjerr sepse Edi Rama po bën gallatë me to”, shtoi ai.

Në fund, Muça u shpreh se zëdhënësit aktualë nuk përfaqësojnë protestën dhe po i shërbejnë kryeministrit.

“Në qoftë se e duam protestën, o të nderuar, duhet ta mbrojmë protestën duke thënë të vërtetën. E vërteta është që zëdhënësit dhe ata që kanë marrë protestën në dorë sot nuk janë zëri i protestës. Janë për interesa thellësisht personale dhe po e shkatërrojnë protestën dhe po i shërbejnë Edi Ramës. Nuk duan rënien e tij”, përfundoi analisti Flogert Muça.

Lini një koment