Muçi rikthehet me topin te Trabzonspor, por aktivizimi ndaj Eyupspor mbetet në pikëpyetje
Ernest Muçi është kthyer në stërvitje me top te Trabzonspor, raporton Top Channel, duke dhënë shenja pozitive pas dëmtimit të pësuar me Kombëtaren.
Mesfushori kuqezi u rikthye te klubi i tij në fillim të javës, pas dëmtimit në ndeshjen e fundit të Shqipërisë ndaj Bjellorusisë më 15 nëntor, ku u dëmtua në fund të takimit dhe u zëvendësua nga Arbnor Muja.
Sipas mediave turke, të cituara nga Top Channel, Muçi ka kryer një pjesë të stërvitjes me grupin, duke bërë një hap tjetër drejt rikthimit të plotë. Megjithatë, mbetet në pikëpyetje nëse do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së shtunës ndaj Eyupspor, e vlefshme për Superligën turke, pasi stafi mjekësor i Trabzonspor dëshiron të jetë i kujdesshëm për të mos rrezikuar përkeqësimin e gjendjes së tij fizike.
Nëse stafi mjekësor e konsideron të përshtatshme, Muçi mund të kthehet në fushë për përballjen e së shtunës.