E premte, 13 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Mungon prokurori dhe e dëmtuara, dështon seanca ndaj profesorit Xhevat Krasniqi

Mungon prokurori dhe e dëmtuara, dështon seanca ndaj profesorit Xhevat Krasniqi

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dështoi të mbahet seanca e së premtes ndaj profesorit të pezulluar Xhevat Krasniqi, i akuzuar për ngacmim seksual. Arsye për dështimin e seancës u bë mungesa e Prokurorit të Shtetit, si dhe e palës së dëmtuar, Donika Veseli.

Gjyqtari i vetëm gjykues, Bujar Ahmeti, njoftoi se Prokurori i Shtetit mungon, për të cilin Gjykata ka dëshmi se është ftuar në mënyrë të rregullt. Kjo vërtetohet nga fletëkthesa e pranuar në Prokurori, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pavarësisht kësaj, Prokurori i Shtetit nuk u paraqit në seancë dhe mungesën nuk e ka arsyetuar, shtoi gjyqtari Ahmeti.

Ndërsa, në seancë mungoi edhe pala e dëmtuar, Donika Veseli, për të cilën Gjykata nuk ka dëshmi se është ftuar në kohë dhe në mënyrë të rregullt, pasi nga fletëkthesa është konstatuar se adresa nuk është e plotë.

Në mungesë të tyre, gjyqtari Ahmeti deklaroi se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës, e cila u shty për një datë tjetër.

Gjatë seancës, gjyqtari Ahmeti i pajisi palët e pranishme me nga një kopje të vendimit të Apelit lidhur me ankesën ndaj vendimit me të cilin ishte refuzuar kërkesa për hedhjen e aktakuzës.

Në seancën e datës 1 korrik 2025, i akuzuari Krasniqi u deklarua i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 10 prill 2025, Xhevat Krasniqi ngarkohet se, në cilësinë e profesorit të matematikës në Fakultetin e Mjekësisë, gjatë periudhës nga janari i vitit 2022 deri në dhjetor të vitit 2023, në vazhdimësi, në objektin e Fakultetit në Universitetin e Prishtinës, është përfshirë në sjellje të padëshiruara verbale të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër. Ai ngarkohet se katër studente i ka ngacmuar seksualisht me fjalë.

Për këtë, Krasniqi ngarkohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Ngacmimi seksual” nga neni 183, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal.

Universiteti i Prishtinës , më 23 prill 2024, ka njoftuar se, pas rekomandimit të Këshillit të Etikës së Universitetit, është marrë vendim që profesori Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual, të pezullohet nga puna.

Lini një koment