E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Muzeu Kombëtar i Lundrimit, rrëfenjë për lidhjen e hershme të Shkodrës me liqenin

Muzeu Kombëtar i Lundrimit, rrëfenjë për lidhjen e hershme të Shkodrës me liqenin

Muzeu Kombëtar i Lundrimit po merr formë në hyrje të Shkodrës si një hapësirë që do të rrëfejë historinë dhe lidhjen e hershme të qytetit me liqenin, lumenjtë dhe lundrimin.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale pamje nga puna që po kryhet për realizimin e kësaj vepre që i shtohet ofertës kulturore e turistike të Shkodrës, ndërsa zona përjeton rritje të flukseve turistike.

Muzeu Kombëtar i Lundrimit është pjesë e një pakete të plotë ndërhyrjesh që po realizohen në Shkodër, duke synuar rritjen e potencialit turistik.

Shkodra e ka të lidhur fort imazhin me atë të liqenit dhe një muze lundrimi i shkon tamam përshtat hovit turistik që po përjeton kryeqendra e veriut.

Ky muze pritet të shndërrohet në një destinacion të ri kulturor e turistik për qytetarët dhe vizitorët.

Ai formohet nga dy volume të vendosura njëra mbi tjetrën, një volum në formë kodre në pjesën e poshtme dhe një “varkë pluskuese” në pjesën e sipërme.

Muzeu do të ketë një ekspozitë të përhershme, një kënd për fëmijë, një laborator për rikrijimin e varkave dhe një dhomë edukative.

Projekti me vlerë 2,4 milionë euro është financim i Bashkimit Evropian përmes Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Lini një koment