MUZIKË – Dua Lipa, Tame Impala, SZA dhe Madonna kryesuese të ”Coachella”-s së ardhshme
INDIO (Kaliforni), 11 nëntor /ATSH-AFP/ – Ylli i popit Dua Lipa, Tame Impala, SZA dhe Madonna do të jenë kryesuese të edicionit të ardhshëm të ”Coachella”-s, festivalit më të njohur të muzikës në Shtetet e Bashkuara, njoftuan organizatorët të martën.
Festivali, i mbajtur çdo vit në Bregun Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, do të zhvillohet gjatë dy fundjavave radhazi në prill 2027, nga data 9 deri në 11 dhe më pas nga data 16 deri në 18, në qytetin Indio, Kaliforni.
Dua Lipa do të jetë kryesuese e performancave të së premtes në të dy fundjavat, së bashku me ikonën e popit Madonna, këngëtarin e reggaeton Daddy Yankee, si dhe Zara Larsson, Steve Lacy, JISOO, Kehlani dhe Leon Thomas.
Tame Impala do të performojë në të dy netët e shtunave, ndërsa SZA do të jetë kryesuese të dielave.
Programi për edicionin e ardhshëm të festivalit në shkretëtirën e Kalifornisë përfshin edhe artistë të tillë si Phoebe Bridgers, Weezer, Tiësto, Martin Garrix, ”Role Model”, ”Kygo”, ”The Neighbourhood” dhe ”Becky G”./ a.jor.