E enjte, 19 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Nagavci për qëndrimin e Jakup Krasniqit në Prishtinë: Pamjet ishin të rënda, votimi në Kuvend për themelimin e Gjykatës Speciale ishte gabim

Nagavci për qëndrimin e Jakup Krasniqit në Prishtinë: Pamjet ishin të rënda, votimi në Kuvend për themelimin e Gjykatës Speciale ishte gabim

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka folur në Kuvendin e Kosovës për qëndrimin e Jakup Krasniqit në Prishtinë, pas qëndrimit gjashtëvjeçar në Hagë dhe dënimit nga Gjykata Speciale.

Në deklarimet jashtë rendit të ditës, Nagavci u ndal te vizita e Krasniqit në shtëpinë e tij, ku takoi bashkëshorten, gjendja shëndetësore e së cilës, sipas saj, është e rënduar.

“Pamjet nga vizita e djeshme e Jakup Krasniqit në shtëpinë e tij në Prishtinë ishin të rënda për t’u parë. Pas gjashtë vjetësh në Hagë, ai u kthye në Kosovë për të takuar bashkëshorten e tij, gjendja shëndetësore e së cilës është e rënduar. Ky takim familjar u zhvillua nën masa të rrepta sigurie dhe mbikëqyrje nga Gjykata Speciale. Ato pamje, përveç të tjerash, na kujtuan se pas çdo procesi gjyqësor ka njerëz dhe ka familje që presin, që shtyjnë ditët pa të dashurit e tyre dhe që përballen çdo ditë me mungesën e tyre”, tha ajo.

Në fjalën e saj, Nagavci përsëriti kundërshtimin e LVV-së ndaj Gjykatës Speciale, duke thënë se votimi për themelimin e saj në Kuvend ishte gabim.

Ajo gjithashtu e cilësoi të padrejtë aktgjykimin ndaj Krasniqit dhe shprehu shqetësime për ndikimin që ky proces mund të ketë në dokumentimin e historisë së luftës së Kosovës.

“Ato pamje duhet të na kujtojnë edhe diçka tjetër, që vendimet politike nuk mbeten në dokumente dhe procesverbale. Ato dalin nga kjo sallë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve, në të kaluarën dhe të ardhmen e vendit. Jakup Krasniqi është një nga figurat më të rëndësishme të politikës së Kosovës. Ishte pjesë e rezistencës kundër regjimit serb, përjetoi burgjet e tij dhe gjatë luftës shërbeu si zëdhënës i UÇK-së dhe përfaqësues politik i saj… Ne e kemi kundërshtuar Gjykatën Speciale dhe duhet ta themi edhe sot. Votimi për themelimin e saj ishte gabim, pasojat e të cilit po i shohim edhe sot. Gjykata Speciale, e themeluar me votën e këtij Kuvendi, e dënoi Jakup Krasniqin dhe ne e konsiderojmë këtë aktgjykim të padrejtë dhe kemi shqetësime serioze për përfundimin e tij dhe interpretimin që mund të ketë ky proces në dokumentimin e historisë së luftës së Kosovës”, tha ajo. /kp/

Lini një koment