Monday, 22 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaNdryshohet kreu i Policisë së Shkodrës, Dashamir Spaho zëvendëson Gentian Berberin

Ndryshohet kreu i Policisë së Shkodrës, Dashamir Spaho zëvendëson Gentian Berberin

Policia e Shkodrës do të ketë një drejtues të ri pasi Gentian Berberi është larguar nga detyra e drejtorit vendor të Policisë, duke mbyllur një mandat prej afro 11 muajsh në krye të këtij institucioni.

Në vend të tij është emëruar Dashamir Spaho, i cili pritet të prezantohet zyrtarisht në detyrën e re nga drejtuesit e Policisë së Shtetit. Spaho rikthehet në Shkodër pas një eksperience të mëparshme në këtë qark, ku ka mbajtur postin e zv.drejtorit të Policisë Vendore.

Së fundmi, Dashamir Spaho ushtronte detyrën në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin pranë Policisë së Shtetit, ndërsa tashmë do të marrë drejtimin e një prej drejtorive më të rëndësishme në vend.

Largimi i Berberit vjen pas një periudhe gati njëvjeçare në krye të Policisë së Shkodrës. Ai mori këtë detyrë pas transferimit nga Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, duke zëvendësuar Fatmir Lleshin.

Ndryshimi në drejtimin e Policisë së Shkodrës vjen në kuadër të lëvizjeve të fundit në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit. Gjatë muajve të fundit, emri i Gentian Berberit ishte përfolur për një transferim të mundshëm, ndërsa tashmë vendimi është zyrtarizuar me emërimin e Dashamir Spahos në krye të Policisë së qarkut.

Me marrjen e detyrës, Spaho pritet të drejtojë strukturat policore në Shkodër në përballimin e sfidave që lidhen me rendin dhe sigurinë publike, si dhe luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, çështje që kanë qenë në fokus të punës së Policisë në këtë qark.

Gentian Berberi

Dashamir Spaho

Lini një koment