Friday, 26 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaNë kërkim për vrasje, ekstradohet nga Italia Sajmir Kolaveri

Në kërkim për vrasje, ekstradohet nga Italia Sajmir Kolaveri

Personi që shihni në foto është Sajmir Kolaveri, 44-vjeçari i ekstraduar këtë të shtunë nga Italia drejt Shqipërisë, ku ka edhe një masë sigurie “arrest në burg” të caktuar nga GJKKO, me kërkesë të SPAK.

Konkretisht, ai dyshohet nga Prokuroria e Posaçme se, si pjesë e një grupi kriminal të drejtuar nga Aurel Hoxha, ka marrë pjesë në vrasjen e të riut Klevis Lleshi në vitin 2020.

Pas krimit të rëndë, 44-vjeçari dyshohet se ka marrë pjesë në transportimin dhe varrosjen e trupit të të riut nga Burreli drejt fshatit Shpërdhet të Mamurrasit.

Emri i Sajmir Kolaverit, por edhe i anëtarëve të tjerë të grupit kriminal të identifikuar nga SPAK, doli nga zbërthimi i komunikimeve në platformat Sky dhe Encrochat.

Ngjarja e rëndë rezultoi se kishte si motiv gjakmarrjen, ndërsa për realizimin e saj ishin paguar rreth 50 mijë euro, shumë që dyshohet se është paguar nga Aurel Hoxha, i shpallur në kërkim.

Ndërkohë, ndaj Sajmir Kolaverit rëndojnë akuzat “Vrasja për gjakmarrje”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, si dhe veprat që lidhen me grupin e strukturuar kriminal dhe armëmbajtjen pa leje.

Tv Klan

/tvklan.al

Lini një koment