“Në korridor tym, në ballkon flakë”/ 21-vjeçari hidhet nga kati i dytë për t’i shpëtuar zjarrit: Më zgjoi gruaja
Luan Salihu, 21 vjeç, ia doli t’u shpëtonte flakëve që përfshinë hotelin në Lungomaren e Vlorës duke u hedhur nga ballkoni. Është pikërisht ai që duket edhe në videon e siguruar nga Report Tv, ku kërcen nga ballkoni i dhomës së tij në katin e dytë. I riu nga Lipjani thotë se ndodhej në gjumë bashkë me bashkëshorten, e cila e zgjoi e shqetësuar.
Pamja para syve të tyre ishte po ajo që kanë treguar edhe pushues të tjerë, tym në korridor, ndërsa në ballkon flakët. 21-vjeçari nuk ka marrë lëndime nga djegiet, por vetëm nga një incident i vogël në momentin që është hedhur. Në gjendje të mirë është edhe bashkëshortja.
“Jam nga Lipjani. Ishim në gjumë, ora 3, gati 4. Kërcitje, e fejuara u çua e para, më tha çohu nga gjumi se s’di ç’ka ndodhur. U çuam të dilnim nga dera, ishte tym, hyri tymi brenda. Dolëm nga ballkoni, ishte flakë e tym, kishte një mburojë, hipëm sipër saj dhe kërcyem poshtë. S’u lënduam nga djegia, kur u hodha rashë në cep hekuri dhe vrava këmbën. Kam parë një familje me fëmijë të vogël dhe një burrë. Ishte dita e dytë në hotel”, thotë Salihu.