Monday, 24 August 2026
54°F Detroit
BallinaKosova“Nëse këta janë të pafajshëm, kush i ka vrarë tre personat në Gllogjan?” – Brajshori: Të akuzuarit munden me paditë shtetin

“Nëse këta janë të pafajshëm, kush i ka vrarë tre personat në Gllogjan?” – Brajshori: Të akuzuarit munden me paditë shtetin

Gjykata Themelore në Pejë ka liruar nga akuzat për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të akuzuarit Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj.

Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj janë shpallur të pafajshëm për bashkëkryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, ndërsa Halil Mehmetaj është liruar nga akuza për “shtytje në vrasje të rëndë”. Kastriot Mehmetaj është liruar gjithashtu nga akuza për armëmbajtje pa leje.

Megjithatë, gjykata i ka shpallur fajtorë Halil dhe Kreshnik Mehmetajn për veprën penale “mbajtje, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve”.

Halil Mehmetaj është dënuar me tre vjet burgim, ndërsa Kreshnik Mehmetaj me një vit burgim. Dënimet do të ekzekutohen vetëm pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm, ndërsa në to do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Të dy të dënuarit janë obliguar të paguajnë nga 300 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe nga 50 euro në fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Vendimi ka nxitur reagime në opinionin publik. Sociologu Jeton Brajshori ka ngritur pikëpyetje lidhur me faktin se, nëse të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm për vrasjen e trefishtë, atëherë mbetet e paqartë se kush është përgjegjës për vrasjen e tre personave në Gllogjan.

“Në qoftë se këta janë të pafajshëm, kush i ka vrarë këta? Edhe për këtë duhet të ekzistojë një dënim”, ka deklaruar Brajshori në Tv Dukagjini.

Ai ka thënë se vendimi ka shkaktuar reagime të shumta, duke theksuar se lirimi nga akuzat për vrasjen nuk do të thotë se çështja e autorëve të vrasjes është zgjidhur.

Sipas Brajshorit, nëse të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm, ata kanë të drejtë edhe të kërkojnë përgjegjësi nga shteti, nëse pretendojnë se janë dëmtuar padrejtësisht gjatë procesit.

“Po e paragjykojmë rastin, janë të pafajshëm, po atëherë kush i ka vrarë këta tre?”, është shprehur ai.

Brajshori ka kërkuar funksionim më të mirë të institucioneve dhe një qasje më të thellë ndaj problemeve që lidhen me drejtësinë dhe sigurinë.

Ai ka vlerësuar se për trajtimin e këtyre problemeve nevojiten reforma më të thella, duke përfshirë arsimin dhe institucionet sociale, si dhe forcimin e mekanizmave institucionalë.

Vrasja e trefishtë në Gllogjan kishte tronditur opinionin publik, ndërsa procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve ka zgjatur disa vite./Telegrafi/

Lini një koment