Nis dhënia e kredive për shtëpi me 0% interes për 300 punonjës të administratës
Qeveria ka hapur programin për të ndihmuar 300 punonjës të administratës për blerjen e banesës me kushte të favorshme. Mësuesit, mjekët, policët dhe punonjës të institucioneve të tjera mund të përfitojnë, duke aplikuar deri më 25 shtator në e-Albania.
Nis programi i qeverisë për të dhënë kredi pa interes për administratën publike. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit njofton se do të hapë të enjten, më 27 gusht, thirrjen për aplikim për 300 kredi me 0% interes, të dedikuara për punonjësit e administratës publike për blerjen e një banese.
Aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri më 25 shtator 2026. Programi parashikon financimin e blerjes së banesës sipas çmimit të referencës, ndërsa sipërfaqja e banesës përcaktohet në përputhje me certifikatën familjare.
Kredia ofrohet me 0% interes, duke synuar lehtësimin e aksesit në strehim për punonjësit e administratës publike që plotësojnë kushtet e përcaktuara nga legjislacioni për strehimin social.
Në kuadër të kësaj thirrjeje janë në dispozicion gjithsej 300 kuota, të ndara në pesë institucione dhe struktura. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka 70 kuota, Ministria e Mbrojtjes 70 kuota, Ministria e Arsimit 70 kuota, Ministria e Punëve të Brendshme 70 kuota, ndërsa Policia e Burgjeve/Ministria e Drejtësisë përfiton 20 kuota.