Nis gjyqi në Gjykatën Administrative për Olsi Dadon, mungon përfaqësuesja e KLP-së. Zbardhen diskutimet
Në Gjykatën Administrative ka nisur gjyqi kundër prokurorit Ols Dado, ku i pranishëm është edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili mbërriti pak minuta më parë.
Ndërkohë, në seancë mungon përfaqësuesja e KLP-së dhe gjykata ka vendosur që gjykimi të vijojë në mungesë të saj. Gjithashtu seanca nuk është lejuar të transmetohet live, ku kamerat do të lejohen vetëm në fund kur të jepet vendimi.
Për mungesën e përfaqësueses së KLP-së ka folur Veliaj, i cili është shprehur se KLP nuk kthen përgjigje dhe gjithmonë kur duhet mungon.
“KLP është në mungesë në gjithë këtë proces, jo vetëm sot. KLP nuk kthen përgjigje. Siç urdhëroni publikun të fshijë filmimet, urdhëroni KLP-në të përgjigjet. Them se s’është detyruese të mungojë një organ që s’ka tagër për t’u shprehur. Më mirë në mungesë të KLP-së sesa me mungesë”, është shprehur Veliaj.
Ndërkohë, ka folur gjithashtu edhe avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, i cili e ka cilësuar procesin të çrregullt dhe qesharak.
“Duket që në këtë proces po humbet durimi në çdo kuptim, po kthehet në proces qesharak, dhe kjo vihet re që te dera, një polici pa kompetencë rri te dera dhe ndalon hyrjen e qytetarëve në seancën publike. Salla e gjyqit administrohet nga ju, jo nga gjykata. Kanë bërë kërkesë gazetarët, ka kaluar çdo lloj mirëkuptimi. S’gjej fjalë etike për të vlerësuar këtë absurd, mbyllja hermetike që duhet të jetë në sy të publikut po kthehet në një gjykatë të mbyllur me hekura,” u shpreh Ndreca.
Ai shtoi se udhëzimet e KLGJ-së nuk po respektohen siç duhet dhe se, sipas tij, gazetarët dhe publiku ndonëse janë të pranishëm, po pengohen të filmojnë.
“Është udhëzim i KLGJ-së, dhe më e rënda gazetarët dhe publiku janë prezent, dhe ndalohet të filmohet. Ju deklaruat diçka tjetër dhe e vërteta është diçka tjetër për masat e regjistrimit, më thatë se do interesoheni personalisht. Ju nuk jeni në varësi të KLGJ-së, por të ligjit dhe të Kushtetutës,” deklaroi avokati i Veliaj.