Monday, 14 September 2026
54°F Detroit
BallinaArteNis konferenca për bioteknologjinë bimore, marrin pjesë 160 studiues nga Evropa

Nis konferenca për bioteknologjinë bimore, marrin pjesë 160 studiues nga Evropa

Nisi sot në Tiranë konferenca ndërkombëtare treditore e bioteknologjisë bimore “From Lab to Forest and Orchard – The Final CopyTree Conference”, e organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Në fjalën hapëse të veprimtarisë, koordinatorja, prof. dr. Valbona Sota, theksoi rëndësinë e konferencës përfundimtare të Aksionit COST CopyTree, duke e cilësuar atë si një moment kulmor të bashkëpunimit shkencor europian në fushën e bioteknologjisë së drurëve.

Ajo shprehu mirënjohjen ndaj komunitetit të CopyTree dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për mbështetjen dhe organizimin e aktivitetit, duke vënë në pah kontributin e konferencës në shkëmbimin e njohurive, diskutimin shkencor dhe konsolidimin e rrjetit ndërkombëtar të kërkuesve.

Në emër të Kryesisë së ASHSH-së, punimet e konferencës u përshëndetën nga sekretarja shkencore, akad. Anila Hoda, e cila theksoi se për Akademinë përbën nder të veçantë mirëpritja e këtij takimi, që sjell së bashku studiues nga vende dhe institucione të ndryshme, të bashkuar në synimin për ta shndërruar dijen shkencore në zgjidhje konkrete për pyjet, pemëtarinë, bujqësinë dhe ruajtjen e burimeve gjenetike bimore. Ajo shtoi se vetë tema e konferencës përmbledh një tipar themelor të shkencës bashkëkohore: kërkimi nuk mund të mbetet i mbyllur brenda laboratorit, por e përmbush misionin e vet kur lidhet me nevojat e shoqërisë, kur ndihmon në ruajtjen e biodiversitetit, në përballimin e ndryshimeve klimatike dhe të sëmundjeve të reja të bimëve, në përmirësimin e teknologjive dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.

Akad. Hoda theksoi se ASHSH i kushtonte rëndësi parësore kërkimit shkencor, një angazhim që mbështet edhe në misionin që i ngarkon Ligji për Akademinë e Shkencave: të nxisë krijimin e njësive të kërkimit, të mbështesë shkencëtarët e rinj, të bashkëpunojë me institucionet kërkimore e arsimore brenda dhe jashtë vendit dhe të tërheqë projekte të përbashkëta.

Ajo solli si shembull Qendrën Kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës (QKBGJ), të ngritur si njësi kërkim-studimi me veprimtari afatgjatë, e cila përmes sektorëve të saj të specializuar dhe Sektorit të Bioteknologjisë Bimore, lidhte ekspertizën shkencore me laboratorët, projektet dhe formimin e brezit të ri të kërkuesve. Organizimi i Qendrës synonte të shmangte fragmentimin e kërkimit dhe të nxiste një qasje të integruar, të mbështetur në parimet e biologjisë së sistemeve dhe të nismës “One Health”, duke mundësuar që shëndeti i bimëve, i kafshëve, i njerëzve dhe i ekosistemeve të studiohej në ndërvarësinë e tyre. Në këtë mënyrë, Qendra përfaqësonte kalimin nga nismat e veçuara drejt ndërtimit të një kapaciteti të përhershëm, ndërdisiplinor dhe bashkëpunues kërkimor pranë Akademisë.

Në këtë kuadër, akad. Hoda përmendi projektet CRYOFRUIT, VITROBMA dhe VINECERT, të financuara dhe të mbështetura tërësisht nga ASHSH-ja, të cilat dëshmojnë se si mbështetja institucionale mund të shndërrohej në kërkim shkencor me rezultate konkrete dhe ndikim të qëndrueshëm. Ngritja e Kriobankës së parë bimore në Shqipëri synonte ruajtjen afatgjatë të materialit gjenetik të specieve frutore autoktone, kërkimi për bimët mjekësore dhe aromatike zhvillonte metoda inovative in vitro për prodhimin e biomasës dhe metabolitëve me përdorim farmakologjik, ushqimor e kozmetik, ndërsa projekti për hardhinë autoktone lidhte diagnostikimin, shëndetësimin dhe përzgjedhjen e materialit bimor me nevojën për një sistem certifikimi të harmonizuar me standardet evropiane, si shembuj të një kërkimi që ruante trashëgiminë biologjike të vendit dhe krijonte vlerë për zhvillimin e mëtejshëm.

Punimet e konferencës u përshëndetën edhe nga dekania e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, prof. dr. Eglantina Kalluci, që theksoi rëndësinë e konferencës së CopyTree si një platformë për ndërthurjen e kërkimit shkencor, arsimit, inovacionit dhe zbatimit të njohurive në adresimin e sfidave në bujqësi, pylltari, biodiversitet dhe mjedis. Ajo vlerësoi karakterin ndërdisiplinor të fushës së CopyTree dhe nënvizoi nevojën për përgatitjen e brezit të ri të studiuesve për bashkëpunim ndërkombëtar, përdorimin e teknologjive të reja dhe shndërrimin e njohurive shkencore në zgjidhje me ndikim të drejtpërdrejtë shoqëror.

Në vijim, fjalën e mori drejtuesi i Aksionit COST CA21157 – CopyTree, prof. Stefaan Werbrouck, i cili gjatë katër viteve të fundit ka udhëhequr komunitetin ndërkombëtar të CopyTree në një periudhë intensive bashkëpunimi shkencor, rrjetëzimi, trajnimi dhe shkëmbimi njohurish, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet studiuesve dhe institucioneve evropiane në fushën e bioteknologjisë së bimëve drunore.

Në këtë veprimtari marrin pjesë më shumë se 160 bashkëpunëtorë të huaj nga vende të ndryshme të Europës, përfaqësues të universiteteve, instituteve kërkimore dhe rrjeteve shkencore ndërkombëtare, të angazhuar në kuadër të COST Action 21157.

Pjesëmarrja e tyre siguron një përfaqësim të gjerë gjeografik dhe shkencor, duke kontribuar në shkëmbimin e përvojave, prezantimin e praktikave më të avancuara dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e bioteknologjisë bimore, duke i dhënë aktivitetit një nivel të lartë ekspertize dhe një dimension të konsoliduar europian.

Veprimtaria do të vijojë deri në datën 16 shtator 2026 me shkëmbimin e njohurive shkencore, prezantimin e arritjeve më të fundit dhe diskutimin e sfidave aktuale në fushën e bioteknologjisë in vitro të bimëve drunore, me fokus në përhapjen, konservimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve gjenetike.

Një nga synimet e rëndësishme të konferencës është edhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet institucioneve kërkimore dhe rrjeteve evropiane, nxitja e partneriteteve të reja shkencore dhe lehtësimi i transferimit të njohurive dhe teknologjive bashkëkohore drejt praktikës.

Lini një koment