Thursday, 2 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaNis shpërndarja e bonusit për pensionistët! Rama: Sigurimet e kujdestarëve të PAK do t’i paguajë shteti

Nis shpërndarja e bonusit për pensionistët! Rama: Sigurimet e kujdestarëve të PAK do t’i paguajë shteti

Kreu i qeverisë, Edi Rama, së bashku me Ministren e Ekonomisë dhe Inovacioni, Delina Ibrahimaj, kanë bërë një bashkëbisedim me një grup pensionistësh këtë të enjte, 2 korrik.

Fjalën e mbajti fillimisht Ibrahimaj, e cila u shpreh bonusi i pensionistëve do të shpërndahet çdo muaj dhe jo vetëm në fund të vitit. Ajo tha se objektivi është që pensioni mesatar të arrijë në 400 euro, ndërsa për pensionistët me vite të pjesshme në 250 euro. Sipas saj, kostoja e kësaj skeme për vitin 2026 është 10.4 miliardë euro.

Në total, për 2026, ka një kosto në buxhet prej 10.4 miliardë eurosh“, tha ajo.

Gjithashtu, ka nisur shpërndarja e bonusit veror prej 5 mijë lekësh për rreth 33 mijë pensionistë.

Nga sot ka filluar shpërndarja e një tjetër bonusi pensionesh, në vlerën 5 mijë lekësh të rinj. Janë rreth 33 mijë pensionistë që kanë përfituar nga ky bonus dhe që sot përfitojnë edhe bonusin e verës“, tha ajo.

Kryeministri, në fjalën e tij tha se bonusi i ri për pensionistët nuk ka lidhje me zgjedhjet, duke theksuar se vendi nuk ka proces zgjedhor deri në vitin 2029 dhe se mbështetja për pensionistët do të vijojë.

Qeveria vendosi të japë një tjetër bonus për pensionistët. Ju kujtohet që vitet e shkuara u tha se bonusi po jepej për fushatë. Ne s’kemi fushatë këtë vit, s’kemi zgjedhje deri në 2029. Bonusi nuk ka lidhje me gjë tjetër, veçse me vëmendjen që ju është dhënë vazhdimisht“, tha ai.

Ai shpjegoi se bonusi financohet edhe nga të ardhurat shtesë të buxhetit, të krijuara si pasojë e rritjes së çmimit të naftës dhe taksave të mbledhura prej saj.

“Ka një komponent që ne nuk e kishim parashikuar në të ardhurat tona, që ishte rritja e të ardhurave nga rritja e çmimit të naftës. U rrit çmimi i naftës, u rritën të ardhurat nga taksa. Të gjitha ato që janë aty brenda në çmim, për buxhetin e shtetit, të gjithë atë pjesë do ta merrni ju. Dhe ata që u ankuan se u rrit çmimi, të ndihen mirë, se në këtë mënyrë kanë kontribuar, sepse një pjesë e këtij bonusi janë edhe nga ata“, u shpreh ai.

Sipas Ramës, nga të ardhurat shtesë do të përfitojnë jo vetëm pensionistët, por edhe personat me aftësi të kufizuara, për të cilët është dyfishuar ndihma financiare. Kështu, kryeministri njoftoi se shteti do të mbulojë sigurimet shëndetësore dhe shoqërore për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara.

E njëjta gjë vlen për kapërcimin e parashikimeve në rritjen e të ardhurave në përgjithësi, të cilat sot janë pjesë e këtij bonusi. Nuk janë vetëm pensionistët, janë edhe personat me aftësi të kufizuara, që prisnin prej kohësh dyfishimin e ndihmës për personat me aftësi të kufizuara. Ju ka takuar më përpara, por mundësitë nuk na e kanë lejuar këtë.

Është vendosur që të gjitha sigurimet shëndetësore dhe shoqërore të kujdestarëve të personave me aftësi të kufizuara do t’i paguajë shteti”, tha ai.

Lini një koment