E shtunë, 7 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Nisin punimet për fabrikën e municionit në Jahoc të Gjakovës, synohet prodhimi testues deri në fund të vitit

Nisin punimet për fabrikën e municionit në Jahoc të Gjakovës, synohet prodhimi testues deri në fund të vitit

Në Jahoc të Gjakovës kanë nisur punimet e para për ndërtimin e fabrikës së municionit, një prej projekteve më të rëndësishme të industrisë së mbrojtjes në Kosovë, siç raporton RTK. Në lokacionin ku do të ngrihet ky kompleks industrial tashmë shihen punëtorë dhe makineri të rënda, të angazhuara në ndërhyrjet fillestare për përgatitjen e terrenit.

Nga Ministria e Mbrojtjes kanë konfirmuar për RTK-në se projekti është duke u realizuar sipas dinamikës së paraparë dhe marrëveshjes së nënshkruar me kompaninë shtetërore turke MKE. Synimi i ministrisë është që deri në fund të këtij viti të nisë prodhimi i parë testues i municioneve “Made in Kosova”.

Shefja e kabinetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Liridona Gashi, ka thënë se punimet kanë filluar dhe po vazhdojnë sipas marrëveshjes me MKE-në, duke shtuar se projekti nuk përfshin vetëm ndërtimin e një fabrike, por krijimin e një kompleksi industrial të prodhimit të municioneve, me infrastrukturë mbështetëse, laboratorë testimi dhe kalibrimi, depo dhe objekte të tjera të nevojshme.

Megjithatë, afatin e paralajmëruar e vënë në dyshim njohësit e çështjeve të sigurisë. Hysen Gecaj ka thënë se nuk beson që prodhimi mund të fillojë për një kohë kaq të shkurtër, duke theksuar se Kuvendi i Kosovës ende nuk ka miratuar një ligj për municionet ushtarake. Ndërsa Arben Dashevci vonesat i sheh si aspekte procedurale ose administrative ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Turqisë.

Paralelisht me përgatitjet për ndërtimin, Ministria e Mbrojtjes kishte nisur disa muaj më parë edhe procedurat për rekrutimin e personelit që do të angazhohet në këtë kompleks. Në dhjetor bëhen dy vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe prodhuesit shtetëror turk MKE për themelimin e fabrikës, kur ishte thënë se Kosova në fund të dhjetorit do të fillojë me prodhimin e municionit — ndaj mbetet e hapur pyetja nëse prodhimi i parë “Made in Kosova” do të nisë këtë vit apo do të shtyhet.

Lini një koment