Monday, 14 September 2026
54°F Detroit
BallinaArteNjë fond i rrallë fotografik i Petrit Kozelit sjell në dritë Tiranën e trazuar të shkurtit 1991

Një fond i rrallë fotografik i Petrit Kozelit sjell në dritë Tiranën e trazuar të shkurtit 1991

TIRANË – Një fond i vogël, por me vlerë të veçantë dokumentare i shtohet pasurisë fotografike të Agjencisë Telegrafike Shqiptare duke rikthyer në vëmendje Tiranën e shkurtit 1991, në ditët kur kryeqyteti përjetonte një nga momentet më të forta të përmbysjes së regjimit komunist.

Fotografitë janë realizuar nga Petrit Kozeli, i cili në atë kohë ushtronte profesionin e fotografit në Tiranë. Sot, këto imazhe të ruajtura në formën e fotografive origjinale fiksojnë një qytet të trazuar, turmat në rrugë, përplasjet dhe praninë e mjeteve ushtarake në hapësirat kryesore të kryeqytetit.

Fotot e Kozelit përbëjnë një vlerë të shtuar në fondin e jashtëzakonshëm fotografik që ruan ATSH-ja, duke pasuruar më tej një arkiv që, përmes mijëra imazheve, ka dokumentuar momente kyçe të historisë shqiptare.

Petrit Kozeli jeton prej më shumë se tri dekadash në Mantova, ndërsa historia e tij mori një tjetër drejtim. Nga fotograf në Tiranë, ai udhëtoi si emigrant në Itali, aty ku u bë dhe mjeshtër këpucar. Në dyqanin e tij në Mantova, Kozeli krijoi këpucët e famshme me flamujt shqiptar dhe italian, si një simbol i bashkëjetesës dhe i rrugëtimit të përbashkët. Këpucët e tij shkuan në duart e Presidentit italian Giorgio Napolitano dhe të Papa Françeskut, ndërsa Kozeli u nderua me titullin “Kavalier i Republikës Italiane” dhe më pas me titullin “Komendator i Urdhrit të Shën Silvestrit” nga Papa Françesku.

Lini një koment