E enjte, 5 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Një muaj paraburgim për tre të dyshuarit për mashtrim përmes platformave të rreme të investimeve

Një muaj paraburgim për tre të dyshuarit për mashtrim përmes platformave të rreme të investimeve

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të dyshuarve me iniciale M.P., I.H. dhe F.Z., siç njofton RTK.

Sipas njoftimit të gjykatës, të pandehurit dyshohen për katër vepra penale: pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, mashtrim, hyrje të paautorizuar kompjuterike dhe mashtrim kompjuterik, raporton Betimi për Drejtësi.

Pas seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake vlerësoi se paraburgimi është masa e vetme që siguron rrjedhën e papenguar të procedurës penale, për shkak të rrezikut të ikjes së të pandehurve, ndikimit në dëshmitarë e prova dhe përsëritjes së veprave. Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Vendimi vjen pas operacionit të 3 nëntorit, kur Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale, në kuadër të një hetimi ndërkombëtar, zhvilluan kontrolle në pesë lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj dhe arrestuan tre personat. Operacioni u shtri edhe në Shqipëri, Qipro, Izrael, Finlandë dhe Maqedoni të Veriut.

Sipas hetimeve, të dyshuarit paraqiteshin si agjentë apo ndërmjetës financiarë dhe mashtronin qytetarë, kryesisht gjermanishtfolës, duke i bindur të investonin në platforma të rreme investimesh dhe kriptovaluta, ku fitimet e shfaqura ishin të falsifikuara. Hetimet vazhdojnë. Personat e përmendur konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia të vërtetohet me vendim të formës së prerë.

Lini një koment