Monday, 17 August 2026
54°F Detroit
BallinaAmerikaNjë turist amerikan vritet nga rrufeja në malin Etna të Italisë

Një turist amerikan vritet nga rrufeja në malin Etna të Italisë

Një turist amerikan 30-vjeçar humbi jetën të dielën pasi u godit nga rrufeja gjatë një ecjeje në malin Etna në Siçili. Sipas raportimeve fillestare të agjencisë shtetërore ANSA dhe mediave të tjera, ai kishte hyrë në një zonë të ndaluar për këmbësorët, për t’u afruar më pranë majës së vullkanit, kur një stuhi e fortë kaloi mbi zonën.

Sipas CBS News, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës arritën me helikopter rreth orës 20:00 me kohë lokale dhe e gjetën në gjendje arresti kardiak. Viktima u transportua në Spitalin Cannizzaro të Kataniës, por mjekët nuk arritën ta rikthenin dhe ai u shpall i vdekur rreth orës 21:30, sipas gazetës lokale Catania Today.

Etna po kalon një periudhë të rritur aktiviteti me rrjedha lave dhe shpërthime hiri, që kanë errësuar qiellin mbi Siçilinë lindore dhe kanë shkaktuar ndërprerje në punën e Aeroportit Ndërkombëtar të Katanias. Rreth 1.5 milion njerëz vizitojnë vullkanin çdo vit; Agjencia e Mbrojtjes Civile paralajmëron se ngjitja e shpejtë nga niveli i detit drejt zonave të larta sjell ndryshime të papritura të motit, ndërsa autoritetet kanë kufizuar kohët e fundit hyrjen në shpatet e sipërme për shkak të rritjes së aktivitetit vullkanik.

Ngjaria ishte një nga dy goditjet fatale nga rrufeja që u regjistruan të njëjtën ditë në Itali; një burrë italian vdiq ndërsa po eçte në Alpet e Tyrolit të Jugut, njoftuan autoritetet. Sipas CBS News, këto incidente nënvizojnë rreziqet që sjell bashkimi i kushteve vullkanike me ndryshimet e papritura meteorologjike.

Lini një koment