Notat e Kombëtares pas Bjellorusisë, Manaj dhe Hysaj më të vlerësuarit
Shqipëria triumfoi 2-0 ndaj Bjellorusisë në ndeshjen e luajtur të dielën në Budapest, raporton Top Channel.
Ky sukses i dha skuadrës kuqezi vendin e parë në grup, që do të thotë ngjitje në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Nations League, ndërsa kuqezinjtë sigurojnë edhe vazon e tretë të kualifikueseve për Euro 2028.
Sipas vlerësimeve të portalit të statistikave Sofascore, të cituara nga Top Channel, nota e përgjithshme e skuadrës ishte 7.93, ndërsa lojtari më i vlerësuar ishte Rey Manaj me 8.6. Sulmuesi shënoi golin e parë ndaj Bjellorusisë dhe arriti në 15 gola me Kombëtaren, duke u bërë golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e kuqezinjve. Menjëherë pas tij u rendit Elseid Hysaj me notën 7.9, autor i golit të dytë.
Me notë mbi 7 u vlerësuan edhe Berisha, Gjimshiti, Mitaj, Pilo, Shehu dhe Arbër Hoxha, ndërsa nën 7, por me vlerësim të mirë, u renditën Asllani, Laçi e Ismajli, si dhe zëvendësuesit e aktivizuar Hasa, Uzuni dhe Daku.