“Nuk e prisja këtë shkallë të humbjes së republikanëve”, Zekthi analizon rezultatin e zgjedhjeve në SHBA
I ftuar në “Now me Erla Mëhillin”, pedagogu Fitim Zekthi komentoi humbjen e republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA, duke u shprehur se nuk e kishte pritur këtë shkallë të fitores së demokratëve dhe të humbjes së partisë së Donald Trump.
Sipas Zekthit, rezultatet në shtete si Kansas, Nebraska dhe Misisipi ishin të papritura, ndërsa humbja e kandidatit Ken Paxton në Teksas e bën edhe më të veçantë rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Ai e cilësoi votën si një ndëshkim ndaj presidentit Trump dhe politikave të tij, duke përmendur ndër arsyet kryesore koston e jetesës, çmimet e ushqimeve dhe karburanteve, si dhe ndikimin e tarifave tregtare në ekonominë amerikane.
“Nuk e prisja këtë lloj shkalle të humbjes së republikanëve, këtë lloj shkalle të fitores së demokratëve. Nuk besoj se kishte mendjen që merret me zgjedhjet në Amerikë, që të parashikonte se shtete si Kansas, Nebraska dhe Misisipi mund të votonin Partinë Demokratike. Është e palogjikshme dhe e pamendueshme në pamje të parë. Ose Teksasi, ku ka humbur kandidati Ken Paxton, edhe guvernatori në detyrë. Misisipi është shteti më republikan i Amerikës. Atje është e pamundur të gjesh demokratë, jo më të votohet për ta. Ka disa rezultate që besoj se nuk mund të parashikoheshin. Pritje për një fitore të demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, në rregull, dhe një betejë për Senatin, por kjo është një votë ndëshkuese ndaj presidentit Trump dhe politikave të tij. Nuk ka pasur kurrë një president që të thotë në një garë: ‘Shkoni votoni në fletët e votimit, se jam unë aty. Po votuat për mua, keni nga 5 mijë dollarë’. Kjo është hera e parë që ndodh. Kjo është një votë për arsye të qeverisjes, për koston e jetesës, çmimet e ushqimeve dhe çmimet e karburantit. Po të shikoni shtetet e veriut të Amerikës, si Michigan, Minnesota, Wisconsin, Ohio dhe Pennsylvania, ato janë prekur dramatikisht nga tarifat me Kanadanë. Këto shtete kanë tregti të dendur me Kanadanë dhe përplasjet me këtë vend kanë krijuar probleme për ekonominë”, tha Zekthi.