“Nuk jam figurant për kamerat”, Dede tregon për UEFA-n Egnatian e tij: Nuk mbyllemi se nuk kemi autobus
UEFA i ka kushtuar nja dokumentar paraqitjes së Egnatias në Europë, ku rrogozhinasit janë tashmë pjesë e grupeve të Ligës së Konferencës. Në një tregim të shkurtër për ekipin rrogozhinas, ata janë ndalur edhe te disa figura të kësaj skuadre, ku padyshim nuk mund të mungonte trajneri Nevil Dede.
“Nuk kam fjalë për ndeshjen, ua thashë brenda në dhoma ato. Ju e dini, unë s’jam figurant që duhet të flasë tani në sy të kamerave. Unë jam vetëm krenar dhe vetëm kaq. Deri në fund, unë besoj te ju, si të besoni edhe ju tek unë. Kaq. Me të gjithë këta kolegët e mi”, ishte prezantimi fillestar i Dedes duke folur para ekipit në një moment stërvitje, teksa më pas dha mendimet e tij për Egnatian.
“Unë mendoj se asgjë nuk arrihet në mënyrë individuale. Flasim për futboll, flasim për klub, kontrata lojtarësh, më pas vjen administrata dhe në fund është edhe hallka e trajnerit. Mendoj se gjithçka shkon në unison, prandaj mendojmë dhe flasim njësoj. Besoj se ky është sekreti më i madh. Në thonjëza unë do të thosha një gjë: jam i privilegjuar që jam këtu dhe krenar që punoj, pavarësisht se edhe unë kam kontributin tim, ashtu si të gjithë të tjerët që vendosin nga një tullë në sukseset e këtij klubi.
Kur kam shkelur për herë të parë, kur jam prezantuar me presidentin dhe drejtorin, kam parë që është një familje. Komunikimi dhe marrëdhënia është një familje. Kështu e kam përjetuar në momentet e para, derisa dolëm kampionë. Dhe vazhdoj ta përjetoj në këtë formë. Është një familje ku përcillet ndjenjë dhe emocion, por mbi të gjitha përcillet dashuri dhe respekt.
Normalisht që ka ulje-ngritje edhe në humor, edhe në marrëdhëniet me presidentin, me drejtorin, edhe me çunat. Por në fund fare, nëse ne mendojmë njësoj, nëse ne flasim njësoj, ky është suksesi që kemi bërë dhe këto janë arritjet e mia më të mëdha. Unë jam një pjesë e tyre. Unë dua të vazhdojmë të luajmë kështu siç po luajmë. Ne nuk mbyllemi, nuk kemi autobus. Ne shkojmë me çarter, me avion falë klubit dhe kështu duhet të luajmë, po me çarter”, thekson trajneri Nevil Dede.