Nuk ndalen incidentet në Durrës! Bie fasada e Gjykatës, rrezikohen kalimtarët
Duket se problemet me fasadat në qytetin e Durrësit nuk kanë të sosur. Vetëm dy ditë pasi suvaja e një pallati ra mbi një automjet, një tjetër incident ka ndodhur këtë të mërkurë, më 20 maj, në qytetin bregdetar. Këtë radhë te Gjykata e Durrësit!
Gazetarja e Klan News Enkeleda Arapi raporton se një pllakë është shkëputur nga fasada e Gjykatës dhe ka rënë në trotuar në një zonë të frekuentuar të qytetit, duke rrezikuar kalimtarët. Fatmirësisht, nga ky incident nuk pati të lënduar.
Ngjarja rikthen shqetësimin për fasadat e amortizuara në Durrës, të cilat prej vitesh paraqesin rrezik për qytetarët dhe automjetet.
Jo më larg se pasditen e së hënës, në lagjen nr. 4, pranë zonës së Stacionit të Trenit në Durrës, një pjesë suvaje është shkëputur nga fasada e një pallati të vjetër dhe ka rënë në rrugë. Si pasojë, është dëmtuar një automjet që ndodhej i parkuar pranë godinës.
Autoritetet po kryejnë verifikimet për gjendjen e fasadës së pallatit, me qëllim parandalimin e rasteve të tjera të ngjashme.