Friday, 21 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaNuk u luajt Himni Shqiptar në aktivitetin në Pustec, reagon Ministria e Jashtme: Respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike

Nuk u luajt Himni Shqiptar në aktivitetin në Pustec, reagon Ministria e Jashtme: Respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka reaguar pas mungesës së Himnit Kombëtar Shqiptar në një aktivitet kulturor të zhvilluar më 20 gusht në Pustec, ku u luajt vetëm Himni i Maqedonisë së Veriut.

Në aktivitet morën pjesë Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe Kryetari i Bashkisë Pustec. Sipas Ministrisë së Jashtme, pavarësisht se aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe vendorë i jepte eventit një dimension të veçantë publik.

“MEPJ shpreh keqardhje për faktin që, në një aktivitet kulturor të zhvilluar dje në Pustec, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe të Kryetarit të Bashkisë, nuk u luajt edhe Himni Kombëtar Shqiptar, krahas atij të Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe të zgjedhurve vendorë i jepte atij një dimension të veçantë publik”, thuhet në reagim.

Sipas MEPJ-së, mospërfshirja e himnit shqiptar përbën një “mungesë serioze” dhe një shmangie nga rregullat e protokollit dhe mirësjelljes institucionale.

Ministria thekson se respektimi i simboleve kombëtare nuk duhet të trajtohet si çështje politike apo t’i nënshtrohet interpretimeve.

“Në këtë kontekst, mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar përbën një mungesë serioze dhe një shmangie nga rregullat e shkruara dhe të pashkruara të mirësjelljes dhe protokollit, të cilat kërkojnë dhe imponojnë respektimin e simboleve kombëtare krahas atyre të komuniteteve që ato përfaqësojnë.

Respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi. Ai është pjesë e etikës institucionale, e protokollit dhe, mbi të gjitha, e respektit të ndërsjellë, veçanërisht në një hapësirë ku bashkëjetojnë komunitete dhe identitete të ndryshme”, thekson Ministria e Jashtme në reagim.

Ministria e Jashtme nënvizon gjithashtu rëndësinë e respektimit të simboleve kombëtare në një zonë ku bashkëjetojnë komunitete dhe identitete të ndryshme.

“Në Pustec, ashtu si në çdo hapësirë të Republikës së Shqipërisë, respekti për simbolet kombëtare është pjesë e respektit për vetë qytetarët, për vlerat e bashkëjetesës demokratike dhe kulturës qytetare që na bashkon. Është gjithashtu themel i fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet njerëzve dhe shteteve tona”, përfundon reagimi i Ministrisë së Jashtme.

Lini një koment