OKB – Erdogan: Rindërtimi i Gazës të fillojë pa vonesë
NJU JORK, 22 shtator /ATSH-AA/ – Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan bëri thirrje që rindërtimi i Gazës të fillojë pa vonesë dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të rrisë presionin ndaj Izraelit.
Duke folur në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Erdogan tha se përpjekjet për rindërtimin e Gazës duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur.
“Duhet të fillojmë rindërtimin e Gazës pa humbur kohë. Në këtë drejtim, ju bëj thirrje që të ushtroni presion më të madh ndaj Izraelit”, tha ai.
Presidenti Erdogan tha se përpjekjet për të parandaluar krijimin e një shteti palestinez përfundimisht do të dështojnë.
“Të gjithë duhet ta kuptojnë dhe ta pranojnë tani këtë; Përpjekjet për ta mbytur shtetin e Palestinës do të përfundojnë me dështim”, tha ai.
Ai shprehu shpresën se përfundimisht do të krijohet një shtet palestinez i pavarur dhe me integritet territorial, i bazuar në kufijtë e vitit 1967 dhe me Jeruzalemin Lindor si kryeqytet.
“Me dëshirën e Zotit, do t’i shohim ato ditë të bukura kur do të krijohet një shtet i pavarur dhe me integritet territorial i Palestinës, brenda kufijve të vitit 1967 dhe me Jeruzalemin Lindor si kryeqytet”, tha Erdogan.
Erdogan u bëri thirrje vendeve që të njohin shtetin palestinez.
“Sot, edhe një herë u bëj thirrje të gjitha vendeve që ende nuk e kanë njohur shtetin e Palestinës që të rishqyrtojnë vendimet e tyre”, tha ai./ /Ad.Ab./ a.jor.