OKB – Guterres: Rregulla globale për IA-në për të parandaluar zhvillimin e “robotëve vrasës”
NJU JORK, 22 shtator /ATSH-DPA/– Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje sot për një qasje më të përgjegjshme ndaj inteligjencës artificiale, duke paralajmëruar kundër zhvillimit të armëve autonome.
“Vendimet për jetë a vdekje nuk duhet t’u dorëzohen kurrë makinerive”, paralajmëroi Guterres në një fjalim që shënoi nisjen e javës së nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku marrin pjesë liderë nga e gjithë bota.
“Robotët vrasës nuk duhet të kenë vend në të ardhmen tonë”, deklaroi ai.
Guterres theksoi se inteligjenca artificiale ka potencialin të përparojë mjekësinë dhe shkencën, por kritikoi mbikëqyrjen e pamjaftueshme dhe proceset e paqarta të marrjes së vendimeve.
“Rreziku nuk është teknologjia”, tha ai.
“Rreziku është teknologjia pa përgjegjshmëri”, shtoi Guterres.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së u bëri thirrje vendeve me kapacitetet më të mëdha në fushën e inteligjencës artificiale që të bashkëpunojnë për zhvillimin e standardeve të sigurisë, rritjen e transparencës lidhur me rreziqet dhe krijimin e mekanizmave të pavarur të mbikëqyrjes.
Guterres kërkoi gjithashtu që vendet t’i japin fund konfliktit në Lindjen e Mesme.
“Armëpushimet e ashtuquajtura kanë rezultuar në pak më shumë se një ‘zjarr më të kufizuar’, ndërsa civilët vazhdojnë të paguajnë çmimin”, tha ai. “Mjaft është mjaft”. /Ad.Ab./ a.jor.