OpenAI prezanton ChatGPT Wallet që mundëson blerjet përmes agjentëve të IA- së
KALIFORNI, 13 nëntor /ATSH – AA/ – OpenAI ka prezantuar ChatGPT Wallet, një funksion pagesash që u mundëson agjentëve të saj të inteligjencës artificiale “dots” të kryejnë blerje në emër të përdoruesve, me kusht që çdo transaksion të miratohet paraprakisht nga përdoruesi.
I zhvilluar në partneritet me American Express, Mastercard dhe Visa, ky funksion u mundëson përdoruesve që plotësojnë kushtet t’i regjistrojnë të dhënat e kartës së tyre vetëm një herë, ndërsa një agjent i inteligjencës artificiale mund të kërkojë produkte dhe të autorizojë blerjet përmes një verifikimi të sigurisë.
OpenAI bëri të ditur se mbajtësit e kartave do të vazhdojnë të përfitojnë nga shpërblimet dhe mbrojtjet ekzistuese të kartave të tyre të kreditit.
Kompania deklaroi se agjentët e saj nuk do të kenë qasje në të dhënat reale të kartave të përdoruesve. Në vend të kësaj, rrjetet e pagesave do të gjenerojnë kode digjitale të posaçme për çdo transaksion, të cilat përmbajnë një numër karte me përdorim të kufizuar, kodin e sigurisë dhe datën e skadimit.
OpenAI tha se fillimisht nuk do të përfitojë pjesë nga transaksionet e kryera përmes këtij portofoli, duke u përqendruar në krijimin e marrëdhënieve me tregtarët dhe rrjetet e pagesave.
Ky funksion mund të shndërrohet përfundimisht në një burim shtesë të ardhurash, ndërsa kompania zgjeron praninë e saj në fushën e blerjeve të asistuara nga inteligjenca artificiale.
ChatGPT Wallet vjen pas ndryshimeve të mëparshme në ofertat tregtare të OpenAI-së. Kompania prezantoi funksionin Instant Checkout në shtator të vitit 2025, përpara se të largohej nga ky model dhe të lansonte në mars një përvojë të ripërtërirë për zbulimin dhe krahasimin e produkteve.
OpenAI prezantoi agjentët e saj “dots” në konferencën vjetore të zhvilluesve, në fund të shtatorit.
Ky lansim vjen në një kohë kur konkurrenca mes kompanive teknologjike po rritet për zhvillimin e asistentëve personalë të inteligjencës artificiale, të aftë për të menaxhuar blerjet, rezervimet e udhëtimeve dhe detyra të tjera të përditshme.