Operacioni antidrogë “Grupi”, të arrestuarit dalin para Gjykatës së Elbasanit
Të arrestuarit në kuadër të operacionit antidrogë “Grupi”, të finalizuar fundjavën e kaluar, janë shoqëruar në Gjykatën e Elbasanit, ku pritet të njihen me masën e sigurisë.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.
Në total janë lëshuar 24 urdhra ndalimi. Deri tani janë ekzekutuar 16 prej tyre, 8 gjatë operacionit të fundit dhe 8 të tjerë përgjatë periudhës njëvjeçare hetimore, ndërsa vijon puna për kapjen e 8 personave të shpallur në kërkim.
Gjatë aksionit u ekzekutuan urdhrat e ndalimit për shtetasit I. Sh., 38 vjeç; R. Z., 52 vjeç; G. Ç., 23 vjeç; A. B., 49 vjeç; N. S., 39 vjeç; L. F., 33 vjeç; J. I., 31 vjeç dhe M. Ç., 32 vjeç.
Po ashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi R. H., 39 vjeç, si dhe u kap një person në kërkim, P. Q., 54 vjeç, i shpallur nga Gjykata e Durrësit për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, kryer në bashkëpunim.
Në kuadër të operacionit janë ekzekutuar edhe 27 vendime gjykate për kontrolle në banesa dhe ambiente të ndryshme. Si rezultat, policia ka sekuestruar 9 kg kanabis, një sasi kokaine të ndarë në doza, 5 peshore elektronike, 7 automjete dhe 17 telefona celularë.
Sipas policisë, hetimet kanë zgjatur disa muaj dhe janë zhvilluar me metoda speciale, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonat e Elbasanit, Librazhdit dhe Prrenjasit.