Saturday, 13 June 2026
54°F Detroit
BallinaKomunitetiOrganizohet tubim solidariteti për protestuesit në Shqipëri

Organizohet tubim solidariteti për protestuesit në Shqipëri

MICHIGAN, SHBA – Një grup qytetarësh kanë bërë thirrje për një tubim solidariteti në mbështetje të protestave që prej më shumë se dhjetë ditësh po zhvillohen në Shqipëri.

Përmes një njoftimi të shpërndarë në rrjetet sociale, organizatorët u bëjnë apel bashkatdhetarëve të diasporës shqiptare që të mblidhen të dielën, më 14 qershor, në qytetin Mount Clemens, për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj qytetarëve që po protestojnë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Sipas mesazhit të publikuar, tubimi synon të përcjellë një mesazh solidariteti me protestuesit në Shqipëri dhe të tregojë se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit ndihen pjesë e shqetësimeve, problemeve dhe sfidave me të cilat përballet vendi.

Organizatorët theksojnë se nisma nuk është e lidhur me asnjë parti politike, shoqatë apo institucion, por paraqitet si një organizim qytetar ku secili pjesëmarrës do të ketë mundësinë të shprehë qëndrimet dhe mendimet e tij lidhur me zhvillimet në Shqipëri.

Në njoftim ftohen shqiptarët të marrin me vete flamuj kombëtarë shqiptarë dhe amerikanë, si dhe pankarta me mesazhe që pasqyrojnë bindjet dhe shqetësimet e tyre. Gjithashtu është kërkuar që pjesëmarrësit të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të tregojnë kujdes për sigurinë e qytetarëve dhe automjeteve, pasi aktiviteti do të zhvillohet në një hapësirë publike.

Posteri promovues i aktivitetit mban sloganin “Zëri ynë ndryshon Shqipërinë” dhe e paraqet tubimin si një manifestim solidariteti me zhvillimet e fundit në Shqipëri. Në materialin promovues theksohet gjithashtu ideja e bashkimit të shqiptarëve kudo që jetojnë, në mbështetje të një Shqipërie më demokratike dhe më europiane.

Tubimi është planifikuar të zhvillohet nga ora 16:00 deri në 18:00 në qendër të Mount Clemens, një qytet që prej vitesh është bërë vendtakim për aktivitete të ndryshme të komunitetit shqiptar në zonën metropolitane të Detroitit.

Nisma vjen në një kohë kur protestat në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen e komuniteteve shqiptare jashtë vendit. Gjatë ditëve të fundit, në rrjete sociale janë shpërndarë thirrje të shumta për solidarizim nga shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe vende të ndryshme të Europës.

Organizatorët shpresojnë që tubimi i së dielës të shërbejë si një mundësi për të bashkuar zërat e diasporës shqiptare në Michigan dhe për të shprehur mbështetjen ndaj qytetarëve që po protestojnë në Shqipëri, duke përcjellë mesazhin se zhvillimet në vend vazhdojnë të ndiqen me vëmendje edhe nga shqiptarët që jetojnë larg atdheut.

Lini një koment