OSBE nis nismën e re për sigurinë në Kosovë, Prishtina komuna e parë ku do të zbatohet
Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë ka iniciuar një rrjet të ri për sigurinë në komunitet, që synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve, komunave, Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera.
Sipas njoftimit të OSBE-së, kjo nismë ka për qëllim identifikimin dhe trajtimin e përbashkët të shqetësimeve që lidhen me sigurinë në nivel lokal.
Rrjeti do të mbështetet në mekanizmat ekzistues të sigurisë në bashkësi, përfshirë Këshillat Komunalë për Siguri në Bashkësi dhe Komitetet Lokale për Siguri Publike.
Përmes takimeve të rregullta mujore dhe identifikimit të përbashkët të prioriteteve, synohet të gjenden zgjidhje praktike, të qartësohen përgjegjësitë institucionale dhe të përcillet zbatimi i veprimeve të dakorduara.
Ambasadori Gerard McGurk, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, tha se siguria në komunitet kërkon angazhimin e të gjithë akterëve.
“Siguria në komunitet është përgjegjësi e përbashkët dhe asnjë institucion nuk mund ta sigurojë atë i vetëm”, deklaroi McGurk.
Ai shtoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve mund të sjellë rezultate konkrete për qytetarët.
Nisma do të zbatohet fillimisht në Komunën e Prishtinës gjatë vitit 2027, ku do të testohet dhe përsoset kjo qasje përpara se të shqyrtohet mundësia e shtrirjes së saj në tërë Kosovën.
Ndërkaq, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Viktor Buzhala, tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për trajtimin e çështjeve që lidhen me sigurinë në komunitet.
“Besojmë se një shoqëri e sigurt ndërtohet përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, identifikimit me kohë të shqetësimeve dhe zbatimit të masave konkrete për adresimin e tyre”, deklaroi Buzhala.
Gjatë fazës pilotuese, OSBE-ja do të ofrojë ekspertizë profesionale dhe mbështetje për lehtësimin e procesit, ndërsa institucionet dhe komunitetet pjesëmarrëse do të kenë përgjegjësi për zbatimin e kësaj qasjeje. /Telegrafi/