Tuesday, 12 May 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaPadia kundër prokurorit Dado, Veliaj letër anëtarëve të KLP: Keni dijeni se kërkesa ime u shqyrtuar nga nënkryetari, nuk ishte vendim kolegjial?

Padia kundër prokurorit Dado, Veliaj letër anëtarëve të KLP: Keni dijeni se kërkesa ime u shqyrtuar nga nënkryetari, nuk ishte vendim kolegjial?

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar një kërkesë zyrtare drejtuar anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), ku pretendon se kërkesa e tij për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të prokurorit Ols Dado nuk është shqyrtuar nga KLP si organ kolegjial.

Sipas Veliajt, nga dokumentacioni i administruar në Gjykatën Administrative rezulton se mbi këtë çështje ka vepruar vetëm nënkryetari i KLP-së, Erind Gërmenji, i cili ka firmosur një shkresë ku deklarohet se “KLP shqyrtoi kërkesën”. Por, sipas paditësit, nuk ka pasur mbledhje, shqyrtim apo vendimmarrje kolegjiale të Këshillit.

“Gjatë zhvillimit të këtij gjykimi, pas paraqitjes nga përfaqësuesja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të dokumentacionit përkatës administrativ, u evidentua një rrethanë me rëndësi të drejtpërdrejtë për mënyrën e trajtimit institucional të kërkesës sonë lidhur me konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të z. Ols Dado dhe deklarimin e përfundimit të statusit të tij si magjistrat. Konkretisht, nga dokumentacioni i administruar në gjykim nuk rezulton që kjo kërkesë të jetë marrë në shqyrtim nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si organ kolegjial kushtetues. Përkundrazi, rezulton se lidhur me këtë kërkesë ka vepruar vetëm nënkryetari i KLP-së, z. Erind Gërmenji, i cili me shkresën nr. 413/3 prot., datë 11.03.2025, na ka informuar se “KLP shqyrtoi kërkesën tonë” për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të z. Ols Dado dhe për deklarimin e përfundimit të statusit të tij si magjistrat.

Nga provat e administruara në gjykim rezulton se përmbajtja e shkresës së sipërcituar nuk i korrespondon realitetit procedural të trajtimit të kësaj kërkese. Konkretisht, nuk rezulton që kërkesa jonë të jetë shqyrtuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si organ kolegjial, por vetëm nga nënkryetari i tij, z. Erind Gërmenji, i cili në këtë shkresë ka mbajtur edhe qëndrim mbi themelin e kërkesës, duke arsyetuar se nuk mund të konstatohej pavlefshmëria e pretenduar për shkak se z. Ols Dado kishte kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar”, thuhet në kërkesë e Veliajt.

Veliaj i kërkon individualisht anëtarëve të KLP-së të deklarojnë nëse kanë qenë në dijeni të faktit që nënkryetari ka marrë vetë në shqyrtim dhe ka vendosur mbi përfundimin e statusit të magjistratit të Ols Dados. Gjithashtu Veliaj pretendon se përfaqësimi i KLP-së në gjykim është mbështetur vetëm mbi një shkresë të nënshkruar nga nënkryetari Gërmenji dhe jo mbi një vendimmarrje kolegjiale, duke e konsideruar këtë akt si nul.

“Në kushtet kur nga dokumentacioni i administruar në gjykim nuk rezulton ekzistenca e një shqyrtimi apo vendimmarrjeje kolegjiale të KLP-së mbi këtë kërkesë, krijohet një mospërputhje e dukshme ndërmjet përmbajtjes së shkresës së datës 11.03.2025 dhe procedurës që rezulton e ndjekur në praktikë, duke e kthyer shkresën në fjalë në një akt nul. Referuar dokumentacionit të administruar në gjykim dhe autorizimit të paraqitur në seancën e fundit gjyqësore, rezulton se përfaqësuesja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, zj. Danja Hobdari, është paraqitur në gjykim pa ekzistencën e një vendimmarrjeje kolegjiale të KLP-së lidhur me këtë çështje. Në këto kushte, përfaqësimi procedural i ushtruar prej saj rezulton i mbështetur vetëm mbi shkresën e datës 11.03.2025 të nënshkruar nga nënkryetari i KLP-së dhe jo mbi një qëndrim institucional të miratuar nga organi kolegjial kushtetues apo në emër të tij. Kjo situatë tregon qartë se përfaqësimi në gjykim nuk mbështetet mbi një qëndrim apo vendimmarrje kolegjiale të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por vetëm mbi një shkresë të firmosur nga nënkryetari i tij. Për rrjedhojë, edhe qëndrimet dhe argumentet e 2 parashtruara në gjykim nga përfaqësuesja e institucionit rezultojnë të pambështetura në një mandat institucional të miratuar nga organi kolegjial kushtetues. Ndodhur në këto kushte, kërkojmë nga ana juaj të na informoni nëse keni qenë në dijeni të faktit se z. Gërmenji ka marrë në shqyrtim dhe ka vendosur personalisht lidhur me përfundimin e statusit të magjistratit të z. Ols Dado, për shkak të mospërmbushjes së kritereve ligjore për emërimin e tij, duke i hequr kompetencën Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të marrë një vendim kolegjial mbi kërkesën tonë”, thuhet në kërkesë.

Padia e Veliajt lidhet me kërkesën për shpalljen të pavlefshëm të emërimit të Ols Dado në vitin 2008, duke pretenduar se ai nuk kishte përfunduar Shkolla e Magjistraturës në momentin e dekretimit nga Presidenti i atëhershëm Bamir Topi dhe nuk plotësonte kriteret ligjore.

Lini një koment