E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Pakta fiskale 2027, Xhixho: Heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet është vetëm propagandë

Pakta fiskale 2027, Xhixho: Heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet është vetëm propagandë

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar ndaj Paketës Fiskale 2027, duke e cilësuar heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i karburantit si propagandë. Sipas saj, siç njofton Shqiptarja.com, qytetarët nuk kursejnë nga kjo masë, por përkundrazi paguajnë më shumë.

Xhixho argumenton se taksa nuk zhduket, por vetëm ndryshon mënyra e vjeljes: në vend që të paguhet brenda çmimit të naftës në pompë, ajo do të paguhet si taksë vjetore e automjetit pranë Drejtorisë së Transportit Rrugor. “Qeveria nuk po ua heq taksën shqiptarëve. Po ua ndërron vetëm xhepin nga i cili ua merr paratë!”, shprehet ajo.

Sipas Xhixhos, skema do të dyfishojë barrën fikse vjetore për shumicën e pronarëve të automjeteve dhe do të penalizojë veçanërisht ata që e përdorin rrallë makinën, të cilët deri tani paguanin në përpjesëtim me konsumin real të karburantit.

Ajo shton se nuk ka asnjë garanci që çmimi në pompë do të ulet, pasi, sipas saj, konkurrenca në këtë treg nuk funksionon dhe lehtësimi fiskal mund të përthithet nga kompanitë e karburanteve pa mbërritur te konsumatori.

Xhixho kujton se Partia e Lirisë ka kërkuar tri herë, në vitet 2017, 2022 dhe 2025, pezullimin e taksës së qarkullimit dhe të taksës së karbonit, si masë konkrete për uljen e çmimit të naftës, por kërkesat janë rrëzuar nga mazhoranca. Ajo e quan masën e re jo reformë fiskale, por skemë për të mashtruar qytetarët dhe për të mbushur arkën e shtetit në kurriz të tyre.

Lini një koment