Pamjet duke ‘luajtur’ me eurot, Kushi njofton kallëzim penal: S’jam unë personi në video
Nënkryetarja e Kuvendit, Evis Kushi, ka reaguar pas qarkullimit në rrjetet sociale të një videoje ku një person shfaqet duke luajtur me euro. Siç njofton Shqiptarja.com, Kushi sqaron se personi në video nuk është ajo dhe se pamjet nuk kanë asnjë lidhje me të.
Sipas Kushit, është e papranueshme që përmes manipulimit dhe keqpërdorimit të teknologjisë të tentohet tjetërsimi i identitetit të një personi dhe të cenohen dinjiteti dhe reputacioni i tij. Ajo thekson se nuk flet vetëm për veten, por për çdo qytetar që mund të bëhet viktimë e sulmeve të tilla.
Kushi njofton se do të bëjë kallëzim penal ndaj personave të panjohur që kanë krijuar dhe shpërndarë videon, në mënyrë që drejtësia të veprojë dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit. “Çdo qytetar ka të drejtë të mbrojë dinjitetin e vet”, shprehet ajo.
Në reagimin e saj, nënkryetarja e Kuvendit falënderon edhe qytetarët që i kanë shkruar dhe e kanë telefonuar në shenjë mbështetjeje pas qarkullimit të videos.