E shtunë, 7 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›PARIS – Franca angazhon 70 000 pjesëtarë të forcave të sigurisë në prag të protestave në mbarë vendin

PARIS – Franca angazhon 70 000 pjesëtarë të forcave të sigurisë në prag të protestave në mbarë vendin

PARIS, 7 nëntor /ATSH -AA/ – Franca sot do të angazhojë 70.000 policë dhe xhandarë në të gjithë vendin, ndërsa autoritetet po përgatiten për një valë të re protestash, duke paralajmëruar për dhunë të mundshme, bllokada dhe dëmtim të pronës gjatë tubimeve të paautorizuara,.

Ministri i Punëve të Brendshme, Laurent Nunez, njoftoi masat e sigurisë gjatë një konference për media, duke theksuar se shumë thirrje për demonstrata po organizohen pa udhëheqje zyrtare ose mbikëqyrje sindikale, ndërsa disa prej tyre shoqërohen me thirrje për dhunë dhe ndërprerje të rendit përmes mediave sociale.

Autoritetet kanë nxjerrë urdhra për ndalimin e demonstratave në disa qendra të qyteteve, ndërsa organizatorëve të protestave të deklaruara u është kërkuar të ndjekin itinerare alternative.

Sipas autoriteteve franceze, operacioni i sigurisë përfshin 110 njësi të forcave mobile, 25 automjete të blinduara Centaur, topa uji, helikopterë dhe dronë.

Policia gjithashtu do të kryejë kontrolle në rrugë, linja hekurudhore dhe stacione për të konfiskuar sende të rrezikshme që mund të përdoren si armë.

Sipas gazetës Le Monde, në të gjithë Francën janë planifikuar disa tubime, përfshirë demonstrata në Paris, të organizuara nga grupe studentore dhe sindikale, në itinerarin mes shesheve Place de la Republique dhe Place de la Nation.

Ndërkohë, lëvizja e Jelekëve të Verdhë planifikon të mblidhet në sheshin Place de la Concorde.

Ministria franceze tha se demonstratat paqësore do të mbrohen, por premtoi “një përgjigje të vendosur” ndaj huliganëve dhe plaçkitësve, të cilët do të arrestohen.

Gjatë javëve të fundit, mobilizimet studentore janë përhapur në të gjithë Francën, ku demonstruesit kanë bllokuar shkollat dhe kanë ngritur shqetësime lidhur me kushtet dhe burimet arsimore.

Protestat ishin pjesë e një dite më të gjerë mobilizimi kombëtar më 5 nëntor, gjatë së cilës Ministria e Punëve të Brendshme regjistroi 575.000 pjesëmarrës në 193 tubime publike në mbarë vendin, përfshirë 65.000 në Paris.

Lini një koment