E mërkurë, 25 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Parlamenti Europian debat për Ukrainën, Von der Leyen: Nuk e braktisim në asnjë rrethanë

Parlamenti Europian debat për Ukrainën, Von der Leyen: Nuk e braktisim në asnjë rrethanë

Parlamenti Europian ka zhvilluar një debat të gjatë lidhur me luftën në Ukrainë dhe planin amerikan për një marrëveshje paqeje, ku presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u shpreh se Brukseli nuk do ta braktisë Ukrainën në asnjë rast, siç njofton Shqiptarja.com.

“Një Ukrainë e fortë dhe e sigurt është thelbësore për sigurinë tonë. Ne nuk do ta braktisim Ukrainën në asnjë rrethanë. Mesazhi ynë është i qartë: ne do të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme”, tha Von der Leyen para eurodeputetëve, duke theksuar se çdo marrëveshje paqeje duhet të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës: “Paqja nuk mund të imponohet. Ajo duhet të jetë e drejtë dhe e qëndrueshme”.

Debati vjen ndërsa administrata e presidentit amerikan Donald Trump po ushtron presion për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit; plani i ri amerikan prej 28 pikash parashikon ndër të tjera njohjen e Krimesë si territor rus, kufizimin e ushtrisë ukrainase dhe ndalimin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se nuk mund të ketë vendime për Ukrainën pa Ukrainën dhe pa Europën.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Uashingtoni po punon për një strategji të re, e cila nuk do të përfshijë më oferta tregtare për Rusinë si mjet për ta afruar Moskën në tryezën e negociatave, por do të fokusohet në presion diplomatik dhe ekonomik. Kremlini ka përsëritur se çdo marrëveshje duhet të marrë parasysh “realitetet e reja territoriale”, ndërsa Kievi ka hedhur poshtë çdo propozim që parashikon lëshime territoriale.

Von der Leyen u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së të rrisin mbështetjen ushtarake dhe financiare për Ukrainën dhe të përshpejtojnë procesin e integrimit evropian të Kievit, duke theksuar se kjo nuk është koha për të ulur vigjilencën.

Lini një koment