E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Partitura të rralla të trashëgimisë sonë muzikore në koncertin “Palimpsest” të Ardita Bufajt

Partitura të rralla të trashëgimisë sonë muzikore në koncertin “Palimpsest” të Ardita Bufajt

Në kuadër të festivalit “Netët e Muzikës Shqiptare”, publikut artdashës do i prezantohet koncerti i ideuar nga pianistja Ardita Bufaj, “Palimpsest”.

Koncerti, i cili vjen më 25 nëntor, i kushtohet rizbulimit dhe interpretimit të një repertori të hershëm të trashëgimisë sonë muzikore. Pas një pune disavjeçare kërkimore dhe hulumtuese, Bufaj ka identifikuar dhe mbledhur partitura të rralla, një pjesë e të cilave janë edhe më shumë se 80-vjeçare.

Për herë të parë, publikut do t’i prezantohen në interpretim koncertor partitura të këngëve qytetare shkodrane, të harmonizuara nga prof. Antonio Muçi, ( repertor për soprano – piano) katër valle pianistike me motive nga Shqipëria e Veriut, të kompozitorit Muharrem Xhediku, si dhe këngë nga Koço Uçi, krahas përpunimeve muzikore të Çesk Zadesë dhe Ramadan Sokolit.

Ky repertor dëshmon për një etapë të rëndësishme të kalimit të këngës dhe vallëzimit tradicional shqiptar drejt formave të kultivuara të krijimtarisë muzikore.

Pianistja Bufaj do të shoqërohet nga sopranoja shqiptare nga Mali i Zi, Maida Resulbegović, dhe baritoni Armando Likaj. E ftuar e veçantë do të jetë pianistja e re Norena Gaxhaj, nxënëse e Liceut Artistik “Jordan Misja”, e cila përfaqëson brezin e ri të interpretuesve dhe simbolizon vazhdimësinë e trashëgimisë muzikore shqiptare.

Koncerti “Palimpsest” realizohet me mbështetjen e Këshillit të Qarkut Tiranë dhe TKOB-së, në kuadër të festivalit “Netët e Muzikës Shqiptare”.

Lini një koment