Thursday, 25 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaPas arrestimit të efektivit në Durrës, kontrolle “blic” edhe në Burgun e Fierit

Pas arrestimit të efektivit në Durrës, kontrolle “blic” edhe në Burgun e Fierit

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka njoftuar se vijojnë kontrollet dhe masat e shtuara për parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit, në kuadër të politikës së tolerancës zero ndaj shkeljeve të ligjit.

Sipas njoftimit zyrtar, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës është kapur në flagrancë një punonjës i Policisë së Burgjeve, i cili dyshohet se tentoi t’i kalonte një të paraburgosuri lëndë narkotike.

Rasti u zbulua pas analizës së riskut ndaj punonjësve të evidentuar me prirje për përfshirje në futjen e sendeve të ndaluara dhe falë bashkëpunimit me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Pas ndalimit, punonjësi u pezullua menjëherë nga detyra, ndërsa gjatë kontrollit fizik iu gjet edhe një sasi tjetër e dyshuar lënde narkotike.

Ndërkohë, në burgun e Fierit, gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet e paraburgimit, janë gjetur dhe sekuestruar dy telefona celularë dhe një fishë karikimi. Autorët e futjes së tyre në institucion nuk janë identifikuar ende.

Autoritetet bëjnë me dije se të dyja rastet po ndiqen në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, ndërsa vijojnë veprimet procedurale dhe hetimore për zbardhjen e plotë të tyre.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se mbetet e angazhuar për forcimin e masave të sigurisë dhe garantimin e rendit e integritetit në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Lini një koment