Pas riatdhesimit nga Siria, Balla viziton familjen Leçini në Rrogozhinë: Shteti do të kujdeset për integrimin e plotë të
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, vizitoi familjen Leçini në Luz të Madh të Rrogozhinës, ku u prit me emocion dhe gëzim riatdhesimi i Abdullahit të vogël nga kampet në Siri.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla e cilësoi kthimin e fëmijës në Shqipëri si një moment të rëndësishëm për familjen dhe një dëshmi të angazhimit të shtetit shqiptar për të mos lënë asnjë qytetar pas.
“Çfarë gëzimi në familjen Leçini në Luz të Madh të Rrogozhinës, riatdhesimi i nipit të tyre të vogël Abdullahit nga kampet e tmerrit në Siri me ndërmjetësimin dhe kujdesin e shtetit shqiptar”, shkruan Balla.
Ai theksoi se institucionet shtetërore të shëndetësisë, kujdesit social dhe arsimit do të angazhohen për integrimin e plotë të Abdullahit në shoqërinë shqiptare, duke i garantuar atij mbështetjen e nevojshme për një fillim të ri.
Sipas Ballës, përkujdesja ndaj fëmijëve të riatdhesuar është një detyrim njerëzor dhe shtetëror, ndërsa shteti shqiptar do të vijojë të ofrojë mbështetje të plotë për rehabilitimin dhe integrimin e tyre.
Vizita në familjen Leçini vjen pak ditë pas operacionit të riatdhesimit të pesë shtetasve shqiptarë nga Siria, një proces që synon rikthimin dhe riintegrimin e qytetarëve shqiptarë të mbetur në kampet e konfliktit.