Pas tensioneve, protesta zhvendoset në bulevard, Rama largohet nga Kryeministria (VIDEO)
Pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë, si dhe zhvendosjes së protestës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kryeministri Edi Rama është parë duke lënë godinën e Kryeministrisë. Rama ka dalë nga zyra e tij pas tensioneve të krijuara gjatë protestës së ditës së 94-t.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, protestuesit kanë marrë informacion se kryeministri Edi Rama ndodhej brenda Kryeministrisë dhe kanë lëvizur në pjesën e pasme të godinës.
Policia ka ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit, ndërsa situata është shoqëruar me konfrontime fizike mes dy palëve. Në zonë janë dislokuar forca të shumta të Policisë së Shtetit dhe FNSH-së, ndërsa pranë Kryeministrisë ka mbërritur edhe një autobot uji.
Pas përplasjeve, protestuesit janë rikthyer në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa një nga organizatorët e protestës, Dritan Goxhaj, është shoqëruar në polici.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet largimi i Edi Ramës nga detyra.