Tuesday, 5 May 2026
54°F Detroit
BallinaKomunitetiPashkët Ortodokse në Michigan: Festa e Ringjalljes dhe përgatitjet në Kishën Shqiptare të Shën Thomait

Pashkët Ortodokse në Michigan: Festa e Ringjalljes dhe përgatitjet në Kishën Shqiptare të Shën Thomait

Të dielën, besimtarët ortodoksë në mbarë botën, përfshirë edhe komunitetin shqiptar në Michigan, do të kremtojnë Pashkët – festën më të madhe të kalendarit të krishterë, që simbolizon Ringjalljen e Jezu Krishtit dhe fitoren e jetës mbi vdekjen. Për shqiptarët ortodoksë në zonën e Detroitit, kjo festë merr një kuptim të veçantë përmes bashkimit në lutje, traditë dhe komunitet.

Në Kisha Ortodokse Shqiptare e Shën Thomait, java e madhe po përjetohet me përkushtim të thellë shpirtëror. Besimtarët e kësaj kishe janë duke ndjekur me devocion të gjitha shërbesat e Javës së Madhe, duke u përgatitur për natën e shenjtë të Ringjalljes.

Mbrëmjen e së Mërkurës së Madhe, shumë besimtarë morën pjesë në Misterin e Shenjtë të Efqelisë – një rit i rëndësishëm i shërimit shpirtëror dhe trupor, ku përmes vajit të bekuar kërkohet falja e mëkateve dhe forca për të përballuar vështirësitë e jetës.

Ndërkohë, kalendari ortodoks vijon me momente kulmore:

  • E Enjtja e Madhe:
    Në orën 10:00 paradite do të zhvillohet Liturgjia Hyjnore, një nga shërbesat më të rëndësishme që përkujton Darkën Mistike të Krishtit me apostujt.
    Në orën 18:00 do të mbahet një nga shërbesat më prekëse – Leximi i 12 Ungjijve të Pësimeve të Zotit Krisht, ku besimtarët ndjekin hap pas hapi vuajtjet dhe kryqëzimin e Tij.
  • E Premtja e Madhe:
    Dita e dhimbjes dhe reflektimit të thellë, kur përkujtohet kryqëzimi dhe vdekja e Krishtit. Besimtarët marrin pjesë në shërbesat e varrimit simbolik (Epitafi).
  • E Shtuna e Madhe dhe Nata e Pashkëve:
    Kulmi i festimeve arrihet në mesnatë, kur shpallet lajmi i madh: “Krishti u Ngjall!” dhe besimtarët përgjigjen “Vërtet u Ngjall!”, ndërsa ndezin qirinjtë dhe ndajnë dritën e shenjtë.

Pashkët nuk janë vetëm një festë fetare, por edhe një moment bashkimi për familjet shqiptare në diasporë. Traditat si vezët e kuqe, ushqimet festive dhe vizitat familjare e bëjnë këtë ditë edhe më të veçantë.

Në Kishën e Shën Thomait në Farmington Hills, kjo frymë bashkimi ndihet fuqishëm, ndërsa komuniteti shqiptar ruan me krenari besimin dhe traditat e trashëguara ndër breza.

Në këtë periudhë të shenjtë, mesazhi i Pashkëve mbetet i njëjtë për të gjithë: shpresë, falje dhe një fillim i ri.

Lini një koment