Saturday, 15 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaPD me hartë të vetën territoriale, Berisha: Edi Rama kërkon shpopullimin e vendit, kërkojmë referendum

PD me hartë të vetën territoriale, Berisha: Edi Rama kërkon shpopullimin e vendit, kërkojmë referendum

Në kushtet kur, sipas opozitës, socialistët thyen konsensusin politik dhe paraqitën në mënyrë të njëanshme draftin e tyre për reformën territoriale, Partia Demokratike bëri publik propozimin e vet. Ndryshe nga PS, e cila synon që nga 61 njësi vendore të reduktohen 15, demokratët kërkojnë shtimin e tyre në 100. Ky draft, sipas PD-së, rrit shërbimet ndaj qytetarëve dhe shmang shpopullimin, ndërsa drafti i PS për ta është vazhdimi i asaj të miratuar në 2014, që shpopullon vendin dhe kryhet vetëm për qëllime elektorale të partisë në pushtet.

“Arbjan Mazniku, një peng i njohur për shumë vese të tij, zbaton verbërisht urdhra bashkë me Ervin Demon, dy armiq kryesorë të komuniteteve lokale në Shqipëri me nën krye Edi Ramën. Edi Rama e kuptoi se e ka betejë të humbur. Reforma territoriale ka ngjallë një pakënaqësi të madhe. U tërhoq në mënyrë të njëanshme, të padenjë”, tha kreu i PD-së, Sali Berisha.

Në kushtet kur sipas opozitës Partia Socialiste e nxori nga korniza ligjore këtë reformë, e cila kërkon dakordësinë e palëve, PD sheh si zgjidhje mbajtjen e referendumit.

“Ne do e kërkojmë, por përballë duhet dhe sfidanti apo jo? Në një referendum. Pra, duhet dhe projekti i tyre të kalojë nëpërmjet referendumit. Në këtë rast, duke qenë se mazhoranca ka djegur procedurat parlamentare demokratike, nuk ka rrugë zgjidhje tjetër”, tha Luçiano Boçi.

Ndërkohë PD pret që shumica t’i rikthehet dialogut dhe konsensusit politik me besimin se në mbështetje do të ketë edhe faktorin ndërkombëtar i cili ka vendosur si kusht për procesin integrues të vendit miratimin me konsensus të reformës territoriale dhe asaj zgjedhore.

Lini një koment