Wednesday, 1 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaPD zgjedh sot Kryesinë e re dhe kryetarin e Këshillit, Berisha: Misioni ynë mbetet rikthimi i votës së lirë. Protesta duhet mbështetur

PD zgjedh sot Kryesinë e re dhe kryetarin e Këshillit, Berisha: Misioni ynë mbetet rikthimi i votës së lirë. Protesta duhet mbështetur

Partia Demokratike ka mbledhur Këshillin Kombëtar, i cili pritet të zgjedhë Kryesinë e re të partisë, si dhe kryetarin e ri të Këshillit Kombëtar. Mbledhja shënon edhe konstituimin e Këshillit të dalë nga Kuvendi Kombëtar.

Në hapje të mbledhjes u theksua se përbërja e re e Këshillit pasqyron procesin e ripërtëritjes së Partisë Demokratike. Sipas drejtuesve të PD-së, një e treta e anëtarëve janë të rinj dhe të reja, ndërsa gratë përbëjnë 40% të Këshillit. Për katër vitet e fundit, Këshilli Kombëtar është drejtuar nga Edi Paloka, ndërsa sot pritet të votohet dhe zgjidhet kryetari i ri.

Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi Këshillin e ri Kombëtar si më cilësorin në historinë e PD-së. Ai tha se misioni historik i partisë mbetet rikthimi i votës së lirë dhe realizimi i rotacionit politik.

“Ky Këshill Kombëtar është më cilësori që Partia Demokratike ka zgjedhur në tërë historinë e saj. Misioni historik i PD-së është rikthimi i votës së lirë dhe rotacioni i pushtetit”, tha ai.

Berisha u ndal edhe te protestat e të rinjve, të cilat i cilësoi si një lëvizje të fuqishme dhe një zgjim të vërtetë të gjeneratës së re. Ai deklaroi se Partia Demokratike i mbështet këto protesta dhe u bëri thirrje demokratëve që të kontribuojnë edhe në rrjetet sociale, duke shpërndarë dhe promovuar mesazhet e protestës.

“Ky Këshill mblidhet në një nga kohët më interesante të historisë së pluralizmit politik. Një lëvizje e fuqishme, si një zgjim i vërtetë i gjeneratës së re, ka shpërthyer në vend si një lëvizje liberale dhe PD e mbështet fuqimisht këtë lëvizje. Gjenerata e re, në dy dekadat e fundit, ka rekordet e betejave më të rëndësishme të fituara. Është tradhti ndaj idealeve të mos mbështetet kjo lëvizje.

Përshëndes demokratët, të cilët u rreshtuan si qytetarë në protestë. Është jetike mbështetja, por meqë ata janë të rinj dhe janë brezi dixhital, të gjitha rrjetet sociale duhet të jenë në mbështetje të tyre. Çdo qytetar duhet të postojë dhe ripostojë protestën, në mënyrë që Rama, pasi akuzoi Iranin se po na merr algoritmet, ndërkohë që po paguan çdo gjysmë ore shuma marramendëse për t’i mbajtur nën kontroll algoritmet, po humbet çdo gjë”, tha Berisha.

Kreu i PD-së theksoi gjithashtu se vetëm një forcë politike e ripërtërirë ka vizionin dhe potencialin për të përmbushur misionin e saj politik, duke vlerësuar përbërjen e re të Këshillit Kombëtar si një hap të rëndësishëm në këtë drejtim.

“Këshilli Kombëtar i PD-së, që u votua në Kuvendin Kombëtar, përfaqëson frymën dhe misionin tonë dhe motoja kryesore ishte ripërtëritja. Anëtarët e Kuvendit, të përgjegjshëm për votën e tyre, i dhanë PD-së dhe Shqipërisë Këshillin Kombëtar më të ripërtërirë. Vetëm një forcë politike e ripërtërirë disponon të gjithë forcën, vizionin dhe potencialin për të përmbushur misionin e saj”, tha ai.

Lini një koment