E mërkurë, 11 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›PDK-ja ngre shqetësime për demokracinë dhe drejtësinë, Tahiri: Qeveria po e trajton shtetin si pronë politike

PDK-ja ngre shqetësime për demokracinë dhe drejtësinë, Tahiri: Qeveria po e trajton shtetin si pronë politike

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka ngritur shqetësime për gjendjen e demokracisë dhe funksionimin e institucioneve në Kosovë, duke iu referuar gjetjeve të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2026.

Gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës, Tahiri theksoi se raporti nuk është dokument i opozitës dhe as nuk i shërben interesave të ndonjë partie politike, por paraqet një vlerësim institucional për progresin e vendit.

Ai tha se vlerësimet e Komisionit Evropian për mangësitë në demokraci, drejtësi, ekonomi dhe funksionimin e institucioneve duhet të shërbejnë si bazë për reflektim dhe jo për arsyetime politike.

Tahiri përmendi paralizën e zgjatur institucionale dhe mbikëqyrjen e kufizuar të ekzekutivit, duke i cilësuar këto si shqetësime për cilësinë e demokracisë në vend.

“Një qeveri mund t’i ketë votat për të marrë vendime, por kjo nuk i jep të drejtën ta trajtojë shtetin si pronë politike”, deklaroi ai.

Duke folur për sistemin e drejtësisë, shefi i GP-së së PDK-së tha se raporti evidenton mungesë progresi në funksionimin e gjyqësorit dhe paralajmëron për ndikime të padrejta në pavarësinë e tij.

Sipas Tahirit, qytetarët duhet të kenë besim se trajtohen në mënyrë të barabartë para ligjit.

Ai kritikoi gjithashtu qasjen ndaj zhvillimit ekonomik, duke theksuar se buxheti nuk duhet të konsiderohet sukses në vetvete, por instrument për krijimin e zhvillimit.

Në këtë drejtim, Tahiri tha se Kosovës i nevojitet transformim ekonomik dhe institucione që punojnë në shërbim të qytetarëve.

“Kosova nuk ka nevojë për institucione që i shërbejnë pushtetit, por për një pushtet që u shërben institucioneve”, u shpreh ai.

Lini një koment