Monday, 22 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaPeleshi: 92% e shqiptarëve mbështetje për anëtarësimin në BE

Peleshi: 92% e shqiptarëve mbështetje për anëtarësimin në BE

Shqipëria renditet e para në Ballkanin Perëndimor për nivelin e mbështetjes së qytetarëve ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Europian.

Duke iu referuar këtyre të dhënave, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, deklaroi se “Shqiptarët vijojnë të jenë ndër mbështetësit më të vendosur të projektit europian. Me 92% mbështetje për anëtarësimin në Bashkimin Europian, Shqipëria kryeson mes vendeve kandidate për nivelin e besimit dhe përkushtimit ndaj integrimit europian.”

Peleshi theksoi se ky besim i lartë i qytetarëve është një motivim shtesë për institucionet shqiptare:

“Për qytetarët tanë, rruga drejt BE-së përfaqëson më shumë siguri dhe stabilitet, më shumë mundësi për zhvillim ekonomik, si dhe një perspektivë më të mirë për brezat që vijnë. Ky besim i lartë është një motivim shtesë për të vijuar me vendosmëri reformat dhe procesin e integrimit europian.”

Sipas grafikut të Komisionit Europian, pas Shqipërisë renditet Kosova me 83% mbështetje, ndërsa Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina regjistrojnë secila mbi 60%. Serbia paraqet nivelin më të ulët të mbështetjes në rajon, me vetëm 31%.

Shqipëria vijon negociatat e anëtarësimit me BE-në, ndërsa avancimi i reformave mbetet ndër prioritetet kryesore të Qeverisë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë.

“Shqiptarët vijojnë të jenë ndër mbështetësit më të vendosur të projektit europian. Me 92% mbështetje për anëtarësimin në Bashkimin Europian, Shqipëria kryeson mes vendeve kandidate për nivelin e besimit dhe përkushtimit ndaj integrimit europian.”- përfundoi mesazhin e tij Peleshi.

Lini një koment