Përfundon takim, Rama–Macron dy orë dialog në Paris. Në fokus partneriteti strategjik Shqipëri–Francë
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim dyorësh në Paris me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Në qendër të bisedimeve ishin marrëdhëniet mes dy vendeve dhe perspektiva e partneritetit strategjik.
Vizita u zhvillua në kuadër të dialogut politik të nivelit të lartë ndërmjet Shqipërisë dhe Francës, me synim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Diskutimet përfshinë qasjen e re ndaj procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian si dhe përgatitjet për samitin e ardhshëm të NATO-s që do të mbahet në Ankara.
Ky dialog i vazhdueshëm mes Tiranës dhe Parisit konfirmon angazhimin e dy vendeve për të thelluar partneritetin strategjik.
Takimi i sotëm vjen si vijimësi e kontakteve të rregullta mes dy liderëve. Rama dhe Macron janë takuar zyrtarisht në Paris në prill 2024, në Tiranë në tetor 2023 dhe maj 2025, ndërkohë që kanë mbajtur komunikime të shpeshta në formate multilaterale dhe përmes kontakteve telefonike.