Përkeqësimi i ekonomisë, biznesi u rrit vetëm me 1.1% në vitin 2025
Ndonëse ekonomia u rrit me 3.9% në vitin 2025, sipas të dhënave paraprake të INSTAT, rreth 72% të kontributit në këtë rritje e kanë sjellë vetëm dy aktivitete, që nuk lidhen me aktivitetin real të biznesit: Administrata publike dhe taksat neto.
Sipas të dhënave paraprake, që mbështeten mbi vlerësimet e Prodhimit të Brendshëm Bruto tremujor, “Administrata publike”, kontribuoi me 1.71 pikë përqindje dhe “Taksa neto”, me 1.11 pikë përqindje.
Sektorët e ekonomisë reale nga“Industria nxjerrëse deri te bujqwsia e ndwrtimi” u zgjeruan me vetëm 1.08%, duke ndikuar në 28% të rritjes.
Kjo është rritja më e ulët e aktiviteve ekonomike të lidhura direkt me biznesin, që nga viti 2012, duke përjashtuar vitin 2020, kur vendi u godit nga pasojat e pandemisë.
Ky është viti i dytë radhazi kur stafetën e rritjes e ka marrë “shteti”. Në 2024-n, administrata publike dhe taksat neto, për herë të parë në historinë e tranzicionit kontribuuan në 51% të rritjes dhe në 2025-n tendenca veçse u thellua. Mesatarisht kontributi i këtyre dy aktiviteteve, përveç rasteve të veçanta, psh kur ka zgjedhje, apo në pandemi, luhatet në rreth 15-30%.