Përkeqësohet moti në Vlorë, pezullohet lundrimi për mjetet e vogla dhe anijet e peshkimit
Përkeqësimi i kushteve hidrometeorologjike në detin e hapur ka bërë që Kapiteneria e Portit të Vlorës të ndalojë dhënien e lejeve të nisjes për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës.
Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 08:00 e datës 18 nëntor deri në orën 06:00 të datës 19 nëntor, në det pritet të fryjë erë nga drejtimi jug-jugperëndim me forcë 6-7 ballë dhe shpejtësi 15-20 metra në sekondë. Ndërkohë, lartësia e dallgëve parashikohet të arrijë nga 1.5 deri në 2.5 metra.
Kapiteneria u ka kërkuar subjekteve që ushtrojnë veprimtari detare të marrin masa për sigurimin e mjeteve në port dhe të rrisin gatishmërinë e ekuipazheve, me qëllim shmangien e situatave emergjente.
Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë të operojnë normalisht, sipas destinacioneve përkatëse.
Përmirësimi i kushteve atmosferike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 19 nëntor.