Përkujtohet në 112-vjetorin e lindjes akademiku Kolë Paparisto
Shpërndaje:
TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ Akademia e Shkencave përkujtoi sot akademikun Kolë Paparisto, biolog e botanist, profesor, Mësues i Popullit.
Paparisto lindi më 8 nëntor 1914 në Elbasan. Ai kreu Liceun Kombëtar (francez) në Korçë dhe ndoqi studimet e larta e u diplomua në Paris (1941).
Paparisto mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe ishte anëtar i Këshillit ANÇ qysh nga Kongresi i Përmetit. Ai ishte zëvendësministër i Arsimit (1945–1947), drejtor i Institutit të Shkencave (1949–1957), ndërsa nga viti 1946 zhvilloi veprimtari të vazhdueshme në arsimin e lartë.
Me themelimin e UT-së u emërua zëvendësrektor për anën shkencore (1957–1962). Ka qenë një nga organizatorët e Muzeut të Shkencave të Natyrës (1948), përgjegjës i Katedrës së Botanikës (1957–1980), drejtor i Qendrës së Kërkimeve Biologjike (1978, sot Instituti i Kërkimeve Biologjike).
Akademik Paparisto drejtoi dhe organizoi botanizimin sistematik të të gjithë territorit të Shqipërisë dhe mori pjesë në ngritjen e Herbarit Kombëtar. Në krye të një grupi bashkëpunëtorësh ndërmori hartimin e veprës Flora e Shqipërisë (I, 1988; II, 1992; III, 1996; IV, 2000). Ka zbuluar disa taksone endemike.
Ndër studimet e botimet me interes për ekonominë janë ato për pllenimin e kryqëzuar me anë të bletës, për efektin e oligoelementeve mbi shtimin e prodhimit bujqësor, për futjen në kulturë të disa përzierjeve foragjere graminore shumëvjeçare, për bimët mjaltore etj.
Ai është autor i veprave: “Flora e Tiranës dhe ikonografia e saj” (1965), “Botanika sistematike e bimëve të larta”. Ka qenë deputet i Kuvendit Popullor (1950–1970).
/k.s/a.f/